Zvicra ia konfiskon 133 milionë dollarë vajzës së ish-presidentit uzbek

Evropë

Zvicra ia konfiskon 133 milionë dollarë vajzës së ish-presidentit uzbek

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 16:53
Gulnara Karimovas

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Zvicër ka njoftuar se ia ka konfiskuar 133 milion dollarë Gulnara Karimovas, vajzës së madhe të ish-presidentit të Uzbekistanit, i cili është duke e vuajtur dënimin me burg për shkak të korrupsionit.

Përmes njoftimit të publikuar të hënën, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se një i afërm i Karimovas e kishte fshehur këtë shumë të madhe të parave përmes hapjes së xhirollogarive bankare në emër të kompanive të ndryshme për t’i ndarë paratë në disa pjesë me qëllim të fshehjes së prejardhjes së tyre.

Autoritetet zvicerane të drejtësisë njoftuan se paratë e konfiskuara do t’i kthehen Uzbekistanit, ndërsa personi që e ka fshehur prejardhjen e tyre është i detyruar ta paguajë një gjobë prej 400 mijë dollarësh.

I afërmi i Karimovas u dënua nga një gjykatë zvicerane të hënën. Ai është personi më i fundit që dënohet për falsifikim dhe pastrim të parave. Në këtë rast janë të përfshirë vajza e ish-presidentit, ndihmësi i saj personal, menaxheri i degës uzbeke të kompanisë ruse të telekomunikacionit dhe dy punëtorë të tjerë.

Në anën tjetër, vetë Karimova ka kërkuar nga presidenti i tanishëm i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoev, që t’ia zbusë dënimin. Ajo tha se i vjen keq dhe se është penduar për çfarëdo zhgënjimi që mund ta ketë shkaktuar.

Ajo gjithashtu tha se ka nevojë t’i nënshtrohet një operacioni për shkak të një problemi shëndetësor, por nuk e saktësoi sëmundjen nga e cila vuan, shkruan “Free Europe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat