Pas bisedimeve më të gjata në histori, BE-ja afër marrëveshjes për postet kryesore

Evropë

Pas bisedimeve më të gjata në histori, BE-ja afër marrëveshjes për postet kryesore

Më: 1 korrik 2019 Në ora: 13:09
Foto

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë afër zgjedhjes së socialistit holandez, Frans Timmermans, si kryetar të Komisionit Evropian. Kështu deklaruan dy diplomatë të hënën. Bisedimet për këtë çështje kanë zgjatur 19 orë deri tash.

Përndryshe, sipas një marrëveshjeje që ende nuk është nënshkruar përfundimisht nga udhëheqësit e 28 shteteve anëtare të BE-së,  anëtarja bullgare e Partive Popullore Evropiane, Kristalina Georgieva, mund të caktohet presidente e Këshillit Evropian. Sidoqoftë, për këtë post është përmendur edhe emri i kryeministrit belg, Charles Michel.

Këshilli Evropian i përfaqëson shtetet anëtare në Bruksel dhe i përcakton drejtimet dhe prioritetet e gjera të politikës së Bashkimit Evropian.

Sipas këtyre diplomatëve, Manfred Weber, i cili ishte propozuar nga Partitë Popullore Evropiane për president të Komisionit Evropian, por i cili u kundërshtua nga Franca dhe Spanja, pritet të caktohet kryetar i Parlamentit Evropian. Sidoqoftë, ai pritet të qëndrojë në këtë post vetëm për gjysmë mandati. Një mandat i plotë në këtë pozitë zgjat pesë vjet.

Diplomatët thanë se zyrtarët janë duke i vazhduar diskutimet dhe se ka mundësi që të bëhet ndonjë ndryshim në minutën e fundit.

Dështimit i Weber-it për ta siguruar përkrahjen në Komisionin Evropian është fitore për presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili e ka kritikuar atë për mungesë të përvojës në institucione ekzekutive.

Bisedimet për zgjedhjen e krerëve të institucioneve të Bashkimit Evropian filluan në pasditën e së dielës. Diplomatët thanë se zgjedhja e figurave të reja në postet kryesore është proces shumë i nevojshëm, sepse ndonjë vonesë tjetër vetëm sa do t’i forconte rrymat nacionaliste. Nacionalistët thonë se Bashkimi Evropian është i përçarë dhe jofunksional, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat