Deputetët e partisë “Brexit” ia kthejnë shpinën himnit të Evropës

Evropë

Deputetët e partisë “Brexit” ia kthejnë shpinën himnit të Evropës

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 12:57
Foto

Kryetari i partisë “Brexit” nga Britania e Madhe, Nigel Farage, dhe deputetët e zgjedhur në Parlamentin Evropian nga radhët e kësaj partie e kanë kthyer shpinën në momentin e intonimit të himnit evropian gjatë ceremonisë për fillimin e punës së Parlamentit Evropian me deputetët e porsazgjedhur.

Në kohën kur një grup muzikantësh po e intononin himnin e kompozuar nga Betoveni në Strasburg ditën e parë të mbledhjes me deputetët e rinj, 29 deputetët e partisë “Brexit” e kthyen shpinën kah pjesa qendrore e parlamentit dhe u drejtuan kah muri i pasmë i sallës.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, reagoi ashpër ndaj disa deputetëve që nuk u ngritën në këmbë në momentin e intonimit të himnit të Evropës. “Është çështje respekti. Nuk do të thotë patjetër që ju i ndani qëndrimet me Bashkimin Evropian. Nëse e dëgjoni himnin e një vendi tjetër, duhet të qëndroni në këmbë”, tha ai.

Më shumë se tre muaj pasi Britania pritej të largohej nga Bashkimi Evropian, 73 deputetë nga ky shtet arritën në Strasburg për ta marrë mandatin që do të zgjasë deri më 31 tetor. Kjo datë është afati i fundit që është caktuar për largimin e Britanisë nga BE-ja.

Farage, i cili ka qenë deputet në Parlamentin Evropian që nga viti 1999, tha se deputetët e partisë së tij në Parlamentin Evropian do të qëndronin në këtë institucion edhe pas datës 31 tetor, nëse një gjë e tillë është e nevojshme, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat