Putini nënshkruan ligjin për tërheqjen e Rusisë nga traktati bërthamor me ShBA-në

Evropë

Putini nënshkruan ligjin për tërheqjen e Rusisë nga traktati bërthamor me ShBA-në

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 15:53
Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka nënshkruar ligjin që e largon vendin e tij nga pjesëmarrja në Traktatin për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme, i cili ishte nënshkruar së bashku me Shtetet e Bashkuara në periudhën e Luftës së Ftohtë.

Ky ligj e kishte marrë përkrahjen paraprakisht edhe nga parlamenti rus dhe të mërkurën u publikua në portalin qeveritar për informata ligjore.

Në shkurt të këtij viti, nga ky traktat u tërhoqën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky shtet e arsyetoi tërheqjen nga marrëveshja me veprimet e Rusisë, e cila, sipas amerikanëve, e ka ndërtuar një sistem raketor që bie ndesh me rregullat e traktatit të vitit 1987.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar para 32 vjetësh, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk kishin të drejtë të zhvillojë, prodhojnë dhe gjuajnë raketa tokësore dhe balistike, të cilat kanë rreze veprimi nga 500 deri 5500 kilometra.

Përndryshe, Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar u tërhoqën edhe nga traktati bërthamor me Iranin dhe fuqitë tjera botërore, i cili ishte nënshkruar në vitin 2015.

Zyrtarët amerikanë thanë se kjo marrëveshje nuk është e mjaftueshme për t’i parandaluar planet e Iranit për ndërtimin e raketave balistike dhe se për këtë çështje duhet të zhvillohen bisedime dhe të arrihet një pakt i ri, shkruan “Free Europe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat