Londër: Miratohet ligji që lejon martesat mes gjinisë së njëjtë në Irlandën e Veriut

Evropë

Londër: Miratohet ligji që lejon martesat mes gjinisë së njëjtë në Irlandën e Veriut

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 21:18
Flamuri që përfaqëson komunitetin LGBT

Parlamenti britanik votoi të martën, në favor të një plani që do të detyronte qeverinë të legalizojë martesat midis gjinisë së njëjtë në Irlandën e Veriut, nëse deri më 21 tetor, nuk arrihet të formohet qeveria e re në Belfast.

Irlanda e Veriut është e vetmja pjesë e Mbretërisë së Bashkuar ku nuk lejohet martesa ndërmjet çifteve të së njëjtës gjini.

Më parë këtë vit, mijëra njerëz marshuan nëpër Belfast, për të kërkuar njohjen e martesës ndërmjet qifteve homoseksuale.

Përpjekjet e mëparshme për të nxjerrë ligje, për martesën mes gjinisë së njëjtë, janë bllokuar nga partia Unioniste Demokratike (DUP), një aleat i rëndësishëm i kryeministres britanike në largim, Theresa May, pavarësisht se anketimet e opinionit, në vitet e fundit, kanë treguar se pjesa më e madhe e rajonit e përkrahin një gjë të tillë.

Grupet e avokimit i kanë bërë thirrje qeverisë që të anashkalojë asamblenë lokale të Irlandës së Veriut dhe të përfshijë legjislacionin në parlamentin britanik.

Irlanda e Veriut është pa institucion ekzekutiv që nga viti 2017, pasi nacionalistët irlandezë të partisë, Sinn Fein, u tërhoqën nga qeveria me DUP-në pro-britanike.

Bisedimet për të formuar ekzekutivin rifilluan në maj, pas një ndërprerjeje prej më shumë se një viti, por nuk kanë bërë përparim të dukshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat