Incident në shfaqjen përkujtuese për Srebrenicën në Beograd - Bota Sot
Incident në shfaqjen përkujtuese për Srebrenicën në Beograd

Evropë

Incident në shfaqjen përkujtuese për Srebrenicën në Beograd

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 21:57
Marshi përkujtimor për viktimat e Srebrenicës

Në Beograd të Serbisë, është organizuar një marsh përkujtimor për viktimat e masakrës së Srebrenicës, në të cilën, 24 vjet më parë, forcat serbe të Bosnjës, vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Marshi, i organizuar nga Iniciativa e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, u zhvillua në sheshin ndërmjet presidencës së Serbisë dhe Parlamentit.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe ambasadorët e SHBA-së, Gjermanisë, Kanadasë dhe Australisë.

Image
Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Kyle Scott (i treti nga e majta) në marshin përkujtues për Srebrenicën.

Pjesëmarrësit, përkujtuan viktimat e Srebrenicës përmes ndezjes së qirinjëve.

“Respektimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, nga përfaqësuesit e qeverisë duhet të jetë baza- jo vetëm deklarative- e një politike proaktive të paqes dhe stabilitetit të Serbisë", u tha në deklaratën e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të masakrës së Srebrenicës, në një deklaratë të përbashkët, të nënshkruar nga njëmbëdhjetë organizata joqeveritare, thuhet se "është një fakt i turpshëm që asnjë nga zyrtarët e Republikës së Serbisë - që nga viti 1995 - nuk e ka karakterizuar Srebrenicën si gjenocid. Kjo konfirmon vazhdimësinë e mohimit të gjenocidit në nivel shtetëror dhe të shoqërisë”.

Incident në shfaqjen përkujtuese për Srebrenicën

Disa persona me bluza, në të cilat ishte vendosur fotografia e të dënuarit nga Gjykata e Hagës për krime lufte në Bosnje, Radovan Karaxhiq, dhe me mbishkrimet “Nuk dorëzohem” kanë hyrë në sallën ku po mbahej një performancë e regjisorit, Zlatko Pakoviq me titull "Srebrenica. Kur ne të vrarët, ngritemi".

Gazetarët e Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, kanë raportuar se, këta persona kanë provuar të ndalonin fjalimin e Patkoviqit.

Ata u kanë thënë të pranishmëve në sallë se “Srebrenica nuk është gjenocid”.

Pakoviq u tha atyre se do të kenë mundësinë të flasin, por pas mbajtjes së shfaqjes.

"Unë shpresoj se një ditë do të turpëroni nga ajo që po bëni", tha Pakoviq.

Organizimi i kësaj shfaqje të regjisorit Pakoviq është përkahur nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...