Lindje-Perëndim: Përse e braktisën grekët Tsiprasin?

Evropë

Lindje-Perëndim: Përse e braktisën grekët Tsiprasin?

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 18:37
Aleksis Tsipras

Pas gati një dekade masash të egra anti-krizë, grekët e treguan qartë se janë të lodhur e të zemëruar. Çmimin e pakënaqësisë së grumbulluar në kohë, për të shpërthyer në mënyrën më të qartë që populli ka për ta treguar vullnetin e vet, Aleksis Tsipras e pagoi me dorëzimin e çelësave të zyrës së kryeministrit.

Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme të 7 korrikut e detyroi të pranonte disfatën e partisë së tij, SYRIZA përballë partisë së qendrës së djathtë, Demokracia e Re, e cila erdhi me premtime fare të thjeshta, por që në këto momente ishin muzikë për veshët e grekëve: prosperitet dhe ulje taksash.

“Ne duam të vëmë në jetë një axhendë reale reformash për një vendin, një axhendë që është ambicioze, e guximshme dhe shumë, shumë e detajuar. Sigurisht, ne kemi argumentuar se tepricat primare më të ulëta do të ishin në dobi të të gjithëve, jo vetëm të ekonomisë greke por edhe të kreditorëve tanë. Megjithatë, do të ketë kohë për të diskutuar çështje të tilla”, tha Kyriakos Mitsotakis, lideri i Demokracia e Re.

Mbështetësit e Tsiprasit i mëshuan me forcë idesë se pas viteve të barrës së mundimshme të masave anti-krizë, ish shefi i ekzekutivit arriti ta nxirrte vendin nga abisi i krizës financiare dhe në përgjithësi, tabloja ekonomike është përmirësuar.

Shtatorin e një viti më parë, ai vetë e bëri dhe një tjetër përpjekje për të rifituar popullaritetin e humbur, dhe në fjalimin e vet të parë të rëndësishëm politik që kur Athina e gjunëzuar nga borxhet I dha fund tutelës më shumë se 8 vjeçare të dorëzanisë ndërkombëtare gushtin e kaluar, lideri majtist premtoi dhe ai ulje taksash, rritje rrogash, e rritje shpenzimesh. Tsipras foli praktikisht për një erë të re dhe reduktim drastik të pasojave të krizës.

“Rroga më të larta, rregullim i tregut të punës dhe respektim i të drejtave të punës … këto janë parakushtet për rritjen ekonomike. Ekonomia greke është stabilizuar … ne tani jemi një vend normal”, shprehej Tsipras në shtator 2018

Një vit më vonë, vota e grekëve e tregoi se ato premtime nuk ishin materializuar, ose te pakten jo aq sa duhet. Kritikët thonë se qeverisja e Tsiprasit ishte një katastrofë për biznesin, se shtypi shtresën e mesme dhe ka gerryer sundimin I ligjit. Europa, sipas Bloomberg, zbuti një populist, e tani ai po paguan koston. Aleksis Tsipras I mori frerët e pushtetit ne Greqinë e drobitur financiarisht duke sjellë me vete një mesazh shprese. Ai përfundoi duke fituar respektin e liderëve të huaj, por humbi atë të njerëzve të vet.

“Në Greqi, përpjekjet për të siguruar jetesën nga më shumë se një burim, nuk janë një gjë e pazakontë në ditët tona. Lufta për të mbyllur muajin apo për ta mbajtur biznesin në këmbë, është kthyer në normë për shumicën e grekëve, pavarësisht premtimit që kryeministri Aleksis Tsipras iu bëri grekëve se “shpresa po vjen” kur erdhi në pushtet në 2015”, shkruan Bloomberg.

Por grekëve iu desh të prisnin shumë, sic pohoi për Bloomberg pronari I një dyqani këpucësh në Follorina, Michalis Asikis.

“Njerëzit I besuan këtij sllogani të Tsiprasit, I besuan shumë, megjithatë shpresa nuk erdhi, përkundrazi, pati mjaft zhgënjim. Është si t`I thuash një fëmije të vogël se do t`I blesh akullore e në fund nuk I jep asgjë, as camcakëz”, thotë Michalis Asikis.

“Ato tetë vitet e dorëzanisë ishin një makth, sidomos për punëtorët e për pensionistët. Pensionet u ulën me 50%; po të ulen më shumë, njerëzit nuk do ta përballojnë dot. Nuk ishte vetëm ceshtja që u tkurrën të ardhurat, por në të njëjtën kohë u rritën dhe taksat: taksat e pronës, taksat mbi fitimin u shtuan dhe ato shumë. Njerëzve iu është bërë jetesa e papërballueshme. Dalëngadalë, nisa t`i humbas të gjitha kursimet e mia, dhe sot jam në borxhe; më bie telefoni e më thonë se po nuk pagova, do të ndërpresin energjinë elektrike. Më duket sikur është një gjendje pa zgjidhje, sikur situata nuk mund të përmirësohet. Është vërtet për të ardhur keq”, thotë Theodoros Prassas, pensionist.

Por Tsipars nuk qe aspak i pasuksesshem. Në sytë e disa udhëheqësve të Bashkimit Europian sic është rasti I kancelares Angela Merkel, ai arriti ta merrte vendin nga buza e greminës e ta conte në një rrugë sigurie e pergjegjshmerie. Ai u përpoq shumë ta shpëtonte vendin nga plani I shpëtimit dhe vulosi një marrëveshje të suksesshme me kreditorët përpara se ta orientonte vendin sërish drejt regjistrave të investitorëve. Flirtoi me Rusinë, vetëm për të vepruar pastaj kundër interesave të Moskës në Ballkan, e këtë e dëshmoi fare qartë me nënshkrimin e marrëveshjes historike të emrit me Maqedoninë, cka I hapi vendit fqinj rrugën drejt integrimit euro-atlantik, ndërkohë që Vladimir Putini do të kishte dashur shumë që ta mbante në orbitën e tij.

Megjithatë për The Guardian, Tsipras bëri tre gabime. Greqia lë pas pesë vite poshtërimi dhe ankthi, pat deklaruar në ditën e zgjedhjeve në 2015-tën. Në katër vitet që pasuan megjithatë, u përpoq, sipas të përditëshmes prestigjoze britanike ti afrohej pikërisht atij establishmenti të cilin u zotua me forcë ti kundërvihej: mbrojti oligarkët e vjetër dhe nxiti një brez oligarkësh të rinj. Aq fort I zbatoi masat anti-krizë sa edhe vete ish ministri gjerman I financave Wolfgang Schäuble e akuzoi se po ia hidhte “barrën më të dobtëve“. Tsipras, nga ana tjetër, për opinionistin e The Guardian, David Adler, u konsiderua se kapitulloi përpara trojkës, se I ndryshoi idetë e tij radikale dhe se praktikisht e rimodeloi në mënyrë aktive qeverinë e tij si një forcë të krahut të djathtë në skenën botërore.

“Unë mendoj se tre janë mësimet që duhen nxjerrë nga renia e Syrizës prej fronit. E para, se nuk duhet të kënaqte dëshirat e opozitës. Një shpjegim i thjeshtë I rënies që kanë pësuar partitë e majta gjatë çerek shekullit të kaluar është paaftësia e tyre për të diskutuar mbi shqetësimet e së djathës, por Syriza tregoi se imitimi I krahut të djathtë, nuk e ndihmoi shumë të tatëpjetën e ngadaltë të saj. Përkundrazi, flirtimi i Tsipras me militarizmin dhe neoliberalizmin bëri që partia e tij të humbiste identitetin e vet kryesor, duke i inkurajuar kështu kundërshtarët e saj përgjatë gjithë rrugës.
E dyta është të mos investohen shpresat e një lëvizjeje në figurën e një politikani. Është kthyer në refren në Greqi se “Tsipras është Syriza”: se ai është i vetmi me shkathtësinë politike t`I mbajë të bashkuara fraksionet e së majtës greke. Por ashtu si një piramidë e përmbysur, personifikimi i platformës së Syrizës e bëri politikën e saj të paqëndrueshme, e të prirur të anohej në çdo drejtim që merrte Tsipras.

E treta, flaka e rebelimit duhet mbajtur gjallë. Syriza u ngjit në pushtet me premtimin të sfidonte status quo-në, por fryma e rebelit brenda saj u fashit shpejt, e bashkë me të, u davarit dhe mbështetja që merrte nga baza”, tha David Adler.

Për disa analistë, vota e 7 korrikut ishte shenja se grekët u kthjelluan prej iluzioneve. Për Spiros Moskovou, zgjedhësit e zhgënjyer në vendin fqinj tani e dinë për cdo rast se kthimi në kohën para krizës është i pamundur.

“Qeveria e Tsiprasit është qeveria me kohëzgjatjen më të madhe që nga viti 2010, kur Greqia kërkoi ndihmë për shpëtim nga falimentimi, sepse nuk ishte në gjendje të mbijetonte e vetme. Në kohën e qeverisë së SYRIZA-s vendi ka shënuar një rritje të ulët ekonomike, ndërsa në vitin 2018 u dha fund programeve të shpëtimit. Athina mund ta financojë tani e vetme buxhetin dhe të përfitojë nga rigjallërimi i turizmit”, u shpreh Spiros Moskovou.
Me fjalë të tjera, shton ai, politikani I moderuar Kyriakos Mitsotakis, nuk do të marrë me në dorë një vend buzë humnerës. Por pritshmëritë janë të mëdha edhe nga pasardhësi i dinastisë politike Mitsotakis. Greqia ende është nën mbikqyrjen e kredidhënësve dhe ka nevojë për një rritje shumë më të madhe ekonomike. Edhe pse papunësia shënon një rënië nga 26 në 18%, Greqia vazhdon të mbetet vendi me papunësinë më të lartë në BE. Nevoja për investime është urgjente, dhe Nea Demokracia, ka shumë përgjegjësi mbi vete.

“Nuk pritet qe konservatorët të prekin arritjet më të mëdha të qeverisë Tsipras, siç është farketimi i marrëveshjes me Shkupin për emrin e Maqedonisë së Veriut. Mitsotakis e ka kritikuar hapur këtë marrëveshje disa herë dhe ka paralajmëruar se do të rinegociojë disa pjesë të saj. Ai megjithatë nuk do ta bëjë nje gje te tille, sepse ndonëse do të bënte për vehte një numër të konsiderueshëm zgjedhesish “patriotë”, nga ana tjetër do të ngjallte pakënaqësi të mëdha tek bashkësia ndërkombëtare”, tha Spiros Moskovou.

Për grekët e thjeshtë, dëshira mbetet ajo e një përmirësimi të situatës, megjithatë jo të gjithë I kanë pritshmëritë të larta.

“Mendoj se këtij vendi I nevojiten ndryshime të mëdha. Jam shumë e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, dhe shpresoj që gjërat të shkojnë më mire”, tha Kanellopoulou, punetore.

“Unë do të vazhdoj të bëj punën time sic e kam bërë deri tani. Nuk pres asgjë të re” thotë Christos, shitës.

New York Times shkruan se Kyriakos Mitsotaqis ka qenë mjaft I nënvlerësuar në Greqi. Madje, sipas gjigandit mediatik amerikan, përcmimi I tij ishte një lloj sporti kombëtar në vend. Kritikët e quanin “ Koulis“, një deformim I emrit të tij. Pas triumfit në zgjedhje megjithatë, është Mitsotaqis ai që mund të thotë tani: “ qesh mirë kush qesh i fundit“.

“Ngjitja drejt postit të kryeministrit është testament i këmbënguljes së tij, dhe I ndryshimeve radikale që sistemi politik i vendit ka pësuar përgjatë një dekade vështirësish ekstreme financiare dhe pasqyrimit të aleancave politike pasuese”, tha New York Times.

Kjo fitore shihet ndërkohe dhe si një ringjallje e mirëpritur e një partie europiane tradicionale në një kohë kur partitë e qendrës së djathtë në kontinentin e vjetër po përpiqen të pushtojnë skenën politike, të fitojnë bindshëm zgjedhje e të formojnë qeveri pa partnerë koalicioni. Por Mitsotakisit do t’i duhet t’i bindë ata që mendojnë se i mungon kompetenca për të menaxhuar siç duhet kompleksitetin e sfidave ekonomike dhe sociale me të cilat përballet Greqia, ndërsa nga ana tjetër, duhet të bëjë kujdes të mos përsërisë gabimet e paraardhësit: të premtojë shpresë, e të më pas, të sjellë zhgënjim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat