Rritja e nivelit të detit kërcënon ekzistencën e qytetit bregdetar

Evropë

Rritja e nivelit të detit kërcënon ekzistencën e qytetit bregdetar

Më: 27 korrik 2019 Në ora: 22:26
Fairbourne, Uells

Bota tashmë po përballet me refugjatët e klimës, njerëzit shtëpitë e të cilëve janë përmbytur nga rritja e nivelit të detit. Por në Uells të Britanisë, banorët e një qyteti bregdetar janë të hutuar dhe të zemëruar për shkak të një vendimi politik për të lejuar natyrën të bëjë të vetën dhe për ta lënë qytetin të zhytet në det. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kevin Enochs njofton.

Fairbourne është një qytet i bukur, por në nivel të ulët në fund të një grykëderdhjeje.

Dhe ngadalë por me siguri, qyteti po zhytet në ujë.

Përparimi i ngadalshëm i oqeanit ka bërë që udhëheqësit politikë të Uellsit të rekomandojnë që qyteti të shpërbëhet duke filluar nga viti 2045 dhe të zhduket deri në vitin 2055.

Banorët pa dyshim që nuk janë të kënaqur me këtë ide.

"Ata thonë se do ta shkatërrojnë qytezën tonë në vitin 2045 apo 2055. Po përse? Na tregoni shifrat që po përdorni për të thënë se niveli i detit do të rritet kaq shpejt në këtë periudhë kohore", thotë Stuart Eves, me qendrën e kampingut Ynysfaig.

Por, shkencëtarët janë të shqetësuar se në një mënyrë ose në një tjetër oqeani po përpin qytetin Fairbourne.

"Evolucioni natyror i një bregdeti është shumë, shumë i ngadalshëm, por nëse përpiqesh të luftosh kundër kësaj në thelb, kur ke një lloj dobësimi të vogël ose ndoshta kur ndodh një stuhi e vërtetë, kjo shkakton ndryshime shumë, shumë të shpejta dhe ndoshta katastrofike", thotë Martin Austin, shkencëtar në Universitetin Bangor.

Vlera e pasurive të patundshme ka rënë dhe banorët thonë se nuk janë të sigurt se çfarë do të bëjnë ndërkohë.

"Është e pakëndshme të quhemi qyteti i parë i refugjatëve të klimës. Ne duam përgjigje tani. Duam të dimë nëse muri i detit do të çahet para vitit 2045 dhe se çfarë do të ndodhë me ne", thotë Angela Thomason me Këshillin e Komunitetit në Fairbourne.

Përgjigjet janë të vështira, por udhëheqësit politikë thonë se duhet bërë diçka, ose njerëzit do të vdesin kur të rritet niveli i ujit.

"Ka një pikë ku bëhet ekonomikisht e padobishme dhe me rrezik të madh për jetën për të ruajtur Fairbourne-in. Prandaj, raporti rekomandon që shpërbërja e qytetit të fillojë nga viti 2045", thotë këshilltarja Catrin Wager.

Shkencëtarët thonë se ndërsa ndryshimet klimatike po ngrenë nivelin e detit në mbarë botën, gjithnjë e më shumë qytete dhe fshatra pranë oqeanit do të duhet të përballen me këtë problem.

Dhe ndërsa banorët e Fairbourne-it nuk janë të kënaqur të bëhen refugjatë të klimës, ata janë vetëm disa mijëra nga miliona njerëz që pritet të zhvendosen nga rritja e nivelit të detit gjatë 50 viteve të ardhshme./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat