Edhe Gjermania dënon "forcën e policisë" kundër protestuesve në Moskë

Evropë

Edhe Gjermania dënon "forcën e policisë" kundër protestuesve në Moskë

Më: 29 korrik 2019 Në ora: 22:02
Moskë, 27 korrik 2019.

Gjermania iu bashkua SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe grupeve për të drejtat e njeriut në dënimin e, siç tha, "veprimeve të ashpra dhe joproporcionale të policisë" kundër protestave të fundjavës në Moskë.

Duke folur të hënën në Berlin, Ulrike Demmer, zëdhënëse e kancelares gjermane, Angela Merkel, i bëri thirrje Rusisë që t'i lirojë "shpejt" afro 1,400 protestuesit e arrestuar dy ditë më parë, ndërsa kërkoi nga autoritetet ruse që të respektojnë liritë e shprehjes dhe të tubimit.

Policia në Moskë arrestoi mbi 1,300 protestues më 27 korrik, të cilët kundërshtonin refuzimin e zyrtarëve të zgjedhjeve për të regjistruar disa figura opozitare si kandidatë në zgjedhjet lokale të shtatorit.

Ambasada e SHBA-së në Moskë dhe një zëdhënëse e BE-së e dënuan "përdorimin joproporcional të forcës nga policia kundër protestuesve paqësorë".

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International po ashtu e dënoi "përdorimin pa dallim të forcës nga policia".

Zyrtarët zgjedhorë në Moskë kanë thënë më herët se kanë ndaluar disa kandidatë të opozitës që të garojnë në zgjedhje më 8 shtator, për shkak të nënshkrimeve të pamjaftueshme.

Vendimi ka shkaktuar disa protesta këtë muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat