Pasojat në Turqi pas blerjes së sistemit rus të mbrojtjes - Bota Sot
Pasojat në Turqi pas blerjes së sistemit rus të mbrojtjes

Evropë

Pasojat në Turqi pas blerjes së sistemit rus të mbrojtjes

Më: 2 gusht 2019 Në ora: 06:18
Putin dhe Erdogan

Pezullimi që Uashingtoni i bëri shitjes së avionëve luftarakë F-35, Turqisë, i ka dhënë një goditje të fortë si ushtrisë turke ashtu edhe industrisë të saj të mbrojtjes.

Blerja nga Ankaraja e sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400 bëri që Presidenti Donald Trump t’i pezullojë Turqisë shitjen e 100 avionëve F-35. Uashingtoni thotë se sistemi raketor rus mund të rrezikojë teknologjinë e avionëve amerikanë. Vendimi i dha fund gjithashtu lidhjes dhjetëvjeçare të industrisë turke të mbrojtjes me këtë projekt.

Prodhuesit turq në fushën e mbrojtjes kishin një pozicion të lakmuar si partnerë të përbashkët në projektin me vlerë 400 miliardë dollarë të prodhimit të avionëve F-35. Pritej që kompanitë turke të fitonin rreth 10 miliardë dollarë, falë prodhimi të rreth 900 pjesëve të aeroplanit, përfshirë pjesë kritike të tilla si pajisjet për ulje, kabinën e pilotit dhe pjesët kryesore të trupit të avionit.

Zhvillimi i industrisë së brendëshme të mbrojtjes është përparësi për Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Ai është angazhuar ta kthejë Turqinë në një udhëheqëse botërore në këtë fushë. Ndërkohë vendi është në fazat fillestare të prodhimit të avionit të vet luftarak.

Përjashtimi nga programi i avionëve F-35 shihet si një goditje e fortë për këto aspirata.

Duke marrë parasysh shkallën e përfshirjes së kompanive turke në programin e avionëve F-35, presidenti turk Erdogan në mënyrë të përsëritur e ka minimizuar mundësinë e përjashtimit të Turqisë, duke pretenduar se Ankaraja ishte e pazëvendësueshme në prodhimin e avionit.

Por zyrtarët amerikanë kanë njoftuar largimin përfundimtar të Turqisë nga programi brenda marsit 2020.

“Ne po vazhdojmë në mënyrë të rregullt largimin gradual dhe përfundimtar të Turqisë nga programi deri në mars të vitit 2020”, tha Ellen Lord, nënsekretarja amerikane e Mbrotjes për çështje të investimeve dhe mirëmbatjes.

Javën e kaluar, kompania Lockheed Martin e cila po prodhon avionët F-35, konfirmoi gjithashtu se ishte në rrugën e duhur për të përmbushur afatin e Pentagonit.

Programi parashikonte që Turqia të ishte një nga qendrat rajonale të mirëmbajtjes së avionit, që do t’u jepte kompanive turke të ardhura në qindra miliona dollarë.

Analistët thonë se F-35 është një nga avionët më të përparuar në botë dhe tani firmat turke do të humbasin mundësinë e përdorimit të teknologjisë së përparuar si dhe të ekspertizës për prodhimin e tyre. Ankaraja kishte investuar rreth një miliard dollarë për prodhimin e avionëve. /VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...