Kërkimet për rezerva të gazit tensionojnë raportet mes Turqisë dhe Qipros

Evropë

Kërkimet për rezerva të gazit tensionojnë raportet mes Turqisë dhe Qipros

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 14:00
Anija eksploruese turke Yavuz

Anijet turke po vazhdojnë operacionet në Mesdheun lindor, dhe një anije tjetër do t'i bashkohet atyre këtë muaj, tha ministri turk i Energjisë, Fatih Donmez.

Tensionet mes Turqisë dhe Qipros janë rritur për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me hulumtimet për burimet natyrore të gazit.

Dy vendet anëtare të BE-së, kanë pasur mospajtime për vite të tëra lidhur me pronësinë e burimeve të gazit. Ankaraja thotë se turqit qipriotë kanë të drejtë për një pjesë të burimeve.

Turqia kundërshton marrëveshjet që qeveria qipriote - e njohur ndërkombëtarisht - ka arritur me shtetet e tjera mesdhetare për zonat ekonomike detare.

Turqia ka dërguar dy anije shpuese, Fatih dhe Yavuz, si dhe një anije eksplorimi, për të operuar në ujërat jashtë ishullit të ndarë të Qipros, duke shkaktuar akuza nga Greqia se po dëmton sigurinë në rajon.

Operacionet e Turqisë në rajon kanë ngjallur një reagim nga aleatët e saj perëndimorë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Nikozia është në mosmarrëveshje me Turqinë që nga pushtimi turk, më 1974, i cili ka ndarë ishullin në dy pjesë: Qipron greke, e cila njihet ndërkombëtarisht si Qipro, dhe rajonin separatist të Qipros turke.

Qiproja turke njihet vetëm nga Turqia dhe është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat