Rusia përdor turizmin si armë kundër Gjeorgjisë

Evropë

Rusia përdor turizmin si armë kundër Gjeorgjisë

Më: 10 gusht 2019 Në ora: 21:30
Që nga viti 1983, një monument i Miqësisë Rusi-Gjeorgji qëndron në malet e Gjeorgjisë

Rusia duket se po përdor një nga armët e saj më të fuqishme, turizmin, kundër fqinjit të saj më të vogël jugor, Gjeorgjisë. Moska ka ndaluar fluturimet direkte mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, pas valës së fundit të protestave në Gjeorgji kundër pushtimit nga Rusia të dy rajoneve të saj. Moska gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve rusë që ndodhen në Gjeorgji të kthehen në vend. Ky vendim ka për qëllim të dëmtojë ekonominë gjeorgjiane, e cila varet shumë nga turizmi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina njofton nga Tbilisi.

Që nga viti 1983, një monument i Miqësisë Rusi-Gjeorgji qëndron në malet e Gjeorgjisë, për të theksuar rendësinë e lidhjeve mes dy vendeve.

Sot, 11 vjet pas luftës ruso-gjeorgjiane të vitit 2008, turistët rusë vijnë këtu, duke mos përfillur urdhërat e udhëheqësit të tyre, Presidentit Vladimir Putin, për t’u kthyer për shkak të kërcënimeve të supozuara për sigurinë e tyre.

Por në këto male, nuk ka njoftime për probleme për vizitorët rusë.

"Ne nuk jemi ndier të kërcënuar në asnjë moment. Askush nuk na ka thënë që nuk jemi të mirëpritur. Të gjithë na mirëpresin me gëzim",thotë Izat, turist rus.

“Gjithçka është e përsosur. Nuk ka asnjë problem. Njerëzit janë shumë të mirë", thotë Alexandr, turist rus.

Presidenti Putin mdaloi fluturimet e drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Gjeorgjisë në përgjigje të protestave që po zhvillohen që prej muajit të kaluar në kryeqytetin gjeorgjian, një masë që po dëmton tashmë ekonominë e Gjeorgjisë.

“Disa nga miqtë e mi nuk erdhën. Ata vendosën të shkojnë diku tjetër me pushime. Ata u lëkundën nga lajmet. Jo të gjithë dinë si të bëjnë dallimin mes politikës dhe njerëzve të thjeshtë", thotë Artiom, turist rus.

"Unë mendoj se kjo nuk është një masë e drejtë. Këtu, gjithçka është në rregull. Jemi të mirëpritur. Shumë njerëz duan të vazhdojnë të vijnë", thotë Marat, një turist tjetër rus.

Deri më tani, ndalimi i fluturimeve ruse vlerësohet se i ka kushtuar Gjeorgjisë 400 milionë dollarë.

Disa analistë thonë se kjo thekson nevojën për të diversifikuar ekonominë gjeorgjiane.

"Zhvillimi ekonomik i bazuar në turizëm është një gabim serioz i elitës politike gjeorgjiane. Problemi kryesor për ekonominë është se ne kemi nevojë për të zhvilluar sektorin real të ekonomisë", thotë Vladimir Papava ish ministër gjeorgjian i ekonomisë.

Disa biznese kanë ndjerë tashmë goditjen ekonomike të Kremlinit.

Në këtë hotel midis vreshtave në lindje të vendit, askush nuk përdor pishinën pavarësisht motit të nxehtë, dhe dhomat e tij janë bosh. Ky biznes përballet edhe me një kërcënim tjetër nga Moska, ndalimin e importeve të verës gjeorgjiane, masë që Rusia e përdor sa herë që ka probleme me fqinjin e saj jugor.

"Ne eksportojmë verë në Rusi, Ukrainë, Poloni, Gjermani, Letoni. Eksporti më i madh që bëjmë është në Rusi, por për fat të keq, edhe nëse nuk ka embargo, ne nuk po e bëjmë më këtë për arsye politike", thotë Elena Chaknashvili, prodhuese e verës.

Ndalimi rus i verërave gjeorgjiane gjithashtu ka çuar në mundësi të reja.

"Nuk është një histori e re për Gjeorgjinë. Rusia tashmë ka mbyllur tregun e saj për verën gjeorgjiane në vitin 2006 dhe Gjeorgjia arriti të mbijetonte. Jo vetëm që mbijetoi, por prodhoi verë shumë më cilësore dhe gjeti tregje të reja. Tani ju mund ta gjeni verën gjeorgjiane në vende të ndryshme të botës, në Evropë, Kinë, Japoni, Shtetet e Bashkuara", thotë Vladimir Papava, ish ministër i ekonomisë.

Ekonomia e Gjeorgjisë sot varet në masë të madhe nga fqinji i saj në veri, trupat e të cilit kanë pushtuar 20 për qind të territorit gjeorgjian. Paradoksalisht, e njëjta dorë që ushqen turizmin dhe sektorët e tjerë të ekonomisë gjeorgjiane, është njëkohësisht kërcënimi më i madh i saj./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat