Erdogan vizitë në Serbi për projektin 3 miliardë eurosh

Evropë

Erdogan vizitë në Serbi për projektin 3 miliardë eurosh

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 22:23
Erdogan/Vucic

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Serbi më 29 gusht, raporton agjencia Tanjug. Gjatë vizitës Erdogan do të takohet me homologun serb, Aleksandar Vuçiç dhe me zyrtarë të tjerë të lartë.

Qëllimi kryesor i vizitës së presidentit turk në Serbi lidhet me nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Beograd-Sarajevë.

Pjesë e projektit që kap shifrën e 3 miliardë eurove është edhe kompania turke, Tasyapi. Vetë Turqia financon një pjesë të konsiderueshme të autostradës.

Serbia i ka dhënë viteve të fundit rëndësi të madhe ndërtimit të autostradave që e lidhin me korridoret evropiane, siç është ky projekt i fundit.

Me autostradën drejt Sarajevës, Serbia do të lidhet me korridorin 5 që nis në Bosnje-Hercegovinë, për të kaluar në Kroaci dhe për të përfunduar në Hungari.

Sa i përket vizitës së Erdoganit, presidenti i Turqisë ka qenë për herë të fundit në shtetin serb në tetor të 2017-ës, ndërkohë që marrëdhëniet ekonomike midis Ankarasë dhe Beogradit kanë njohur rritje të konsiderueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat