Greqia po pëson katastrofë ekologjike nga zjarret

Evropë

Greqia po pëson katastrofë ekologjike nga zjarret

Më: 16 gusht 2019 Në ora: 07:39
Zjarri

Gadishulli i Eubesë në Greqi vijon të jetë i përfshirë nga flakët, që deri tani kanë shkrumbuar 25 hektarë pyje dhe rrezikojnë të shtrihen në zona të tjera. Për arsye sigurie janë evakuuar 4 fshatra.

Në gadishullin e Eubesë, në Greqi, forcat zjarrfikëse po vazhdojnë për të tretën ditë rresht luftën me flakët. Sipas një njoftimit të autoriteteve, në zonë po veprojnë rreth 400 trupa zjarrfikëse me 98 automjete, 5 helikopterë dhe 5 avionë, tre prej të cilëve erdhën në Greqi pas kërkesës që Athina zyrtare i drejtoi mekanizmit evropian të mbrojtjes civile.

Gjithë përpjekjet e zjarrfikësve janë përqendruar në kufizimin e shtrirjes së zjarrit, që po kërcënon që nga paraditja e së enjtes një rezervat të faunës së rrallë. Për fat të mirë nuk janë regjistruar viktima në njerëz, ndërsa janë evakuuar katër fshatra që rrezikoheshin më shumë nga zjarri. Por të gjithë pajtohen se ka ndodhur një katastrofë ekologjike, përderisa janë bërë shkrumb 25 hektarë të një pylli natyral me pisha, në një zonë që konsiderohej si “Zvicra e Greqisë”.

Të pallogaritshme janë edhe dëmet në kulturat bujqësore. Kryeministri Qiriakos Micotaqis ndërpreu pushimet dhe vizitoi zonat e goditura nga zjarret. Ai tha se do të fillojë menjëherë inventarizimi i dëmeve dhe se të gjithë fermerët e prekur do të kompensohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat