Shtohet presioni ndaj kryeministrit britanik për thirrje të ligjvënësve nga pushimi

Evropë

Shtohet presioni ndaj kryeministrit britanik për thirrje të ligjvënësve nga pushimi

Më: 19 gusht 2019 Në ora: 15:17
Pamje nga Londra.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka hedhur poshtë kërkesën për kthim të anëtarëve të parlamentit nga pushimi veror, pasi disa dokumente qeveritare që janë publikuar së fundmi paralajmërojnë për shkurtime të mëdha dhe vonesa kufitare në rast të Brexitit pa marrëveshje.

E përditshmja, The Sunday Times ka publikuar disa pritshmëri të qeverisë britanike, nëse ky shtet largohet pa marrëveshje nga Bashkimi Evropian. Në mesin e gjërave më problematike janë edhe: problemet me furnizim të ilaçeve, qasje më e vogël në ushqim të freskët, dhe mungesa eventuale të ujit.

Ekonomistët edhe më parë kanë bërë paralajmërime të tilla, mirëpo mbështetësit e Brexitit i kanë hedhur poshtë ato vazhdimisht.

Kryeministri britanik ka thënë të hënën se dokumenti i publikuar “është i vjetër” dhe se ligjvënësit do t’i kthehen punës, siç është planifikuar më 3 shtator.

“Unë nuk po prentedoj se nuk do të ketë vështirësi në rrugë. Do të ketë, mirëpo nëse të gjithë punojmë, unë nuk dyshoj se do të jemi gati”, ka thënë ai.

Ndërkojë Partia Laburiste, që është në opozitë dhe e cila po tenton të shtyjë procesin e Brexitit, ka thënë se ky dokument është një tjetër shenjë pse largimi nga blloku evropian nuk duhet të ndodhë pa marrëveshje.

Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson ka thënë se do ta largojë Britaninë në këtë datë me apo pa marrëveshje nga blloku evropian, derisa ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që tenton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat