Johnson kërkon heqjen e ndalesës kufitare nga marrëveshja për Brexit

Evropë

Johnson kërkon heqjen e ndalesës kufitare nga marrëveshja për Brexit

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 12:05
Boris Johnson

Kryeministri britanik, Boris Johnson i ka thënë Bashkimit Evropian se plani për të krijuar ndalesë në kufirin irlandez, duhet të pezullohet, pasi është “i paarritshëm” dhe “jodemokratik”.

Në një letër të nisur drejt presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, Johnson ka thënë se ndalesa që synon të parandalojë krijimin e një kufiri të ashpër mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore, rrezikon dëmtimin e procesit të paqes në atë zonë.

Nëse ky plan largohet nga diskutimi, ai ka pretenduar se marrëveshja për Brexit do të miratohet në Parlament.

Brukseli në anën tjetër nuk është përgjigjur ende.

Megjithatë, BE-ja ka insistuar vazhdimisht se ndalesa duhet të jetë pjesë e marrëveshjes dhe nuk mund të ndryshohet.

Në një bisedë telefonike të zhvilluar në orët e vona të së hënës në mes të kryeministrit britanik dhe kryeministri irlandez, Leo Varadkar, ky i fundit ka përsëritur se marrëveshja nuk mund të diskutohet më dhe se ndalesa nuk ndryshohet.

Kjo ndalesë, që është pjesë e marrëveshjes së arritur në mes të zyrtarëve evropianë dhe ish-kryeministres britanike, Theresa May, e cila është refuzuar tri herë të Parlamentin Britanik, është politkë që parandalon krijimin e një kufiri të ashpër në Irlandën Veriore.

Nëse fillon së zbatuari, ajo parasheh që Irlanda Veriore të mbetet e lidhur përmes disa rregulloreve me tregun e BE-së.

Në letrën e tij, Johnson e ka konsideruar këtë marrëveshje “në kundërshtim me sovranitetin e Britanisë” dhe ka insistuar se nuk mund të jetë pjesë e marrëveshjes për largim.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se marrëveshja në kushtet aktuale “dobëson balancin e ndjeshëm” të dokumentit të ashtuquajtur, Marrëveshja e të Premtes së Mirë.

Kjo marrëveshje është arritur më 1998, për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në Irlandën Veriore.

Kryeministri britanik ka bërë thirrje për “zgjidhje fleksibile dhe kreative” si dhe “marrëveshje alternative, të cilat të bazuara në teknologji do të anashkalojnë kufirin e ashpër”.

“Koha është shumë e shkurtër. Mirëpo Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të ecë shpejt dhe duke marrë parasysh nivelin e bashkëpunimit, shpresoj se edhe BE-ja është e gatshme të veprojë njëjtë”, ka shkruar ai.

“Unë po ashtu besoj se Parlamenti do të ishte në gjendje të veprojë shpejt nëse ne miratojmë një marrëveshje që nuk përfshin ndalesën”.

Laburistët opozitarë në anën tjetër kanë thënë se Johnson më parë ka votuar për planin e kryeministres May, përfshirë ndalesën.

Lideri i laburistëve, Jeremy Corbyn i ka bërë thirrje qeverisë që të publikojë të gjitha dokumentet rreth ndikimit që mund të ketë në Britani, Brexiti pa marrëveshje, pasi gjatë fundjavës një dokument që ka qarkulluar, ka treguar për shkurtime të mëdha të ushqimit dhe ilaçeve.

Michael Gove, ministri i kabientit britanik, përgjegjës për të kryer përgatitje nëse Brexiti përfundon pa marrëveshje, ka thënë se informacionet që kanë qarkulluar kanë qenë të vjetra dhe planet për Brexit kanë ndryshuar prej kur Johnson është bërë kryeministër.

Megjithatë Corbyn ka thënë: Nëse qeveria dëshiron t’i besojmë se ato dokumente nuk tregojnë realitetin, atëherë duhet të publikojë të gjeturat më të reja tani”.

Ne do të nisim mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Ne do të bëjmë gjithçka për të ndaluar një Brexit pa marëveshje. U kam nisur shkresë dhe partive tjera opozitare, që të bashkohen në këtë nismë”, ka thënë ai.

Një zëdhënës qeveritar ka thënë se informacionet e përditësuara, që janë në interes të publikut rreth këtij procesi, veçse janë në faqen e qeverisë në internet.

Johnson ka thënë se dëshiron të arrijë marrveshje me BE-në, mirëpo Britania duhet të largohet patjetër nga blloku evropian në fund të muajit tetor.

Letra katër-faqëshe e Johnsonit drejt Tuskut, ka ardhur pasi kryeministri britanik është takuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat