Greqia përfshihet nga zjarret, evakuohen qindra turistë

Evropë

Greqia përfshihet nga zjarret, evakuohen qindra turistë

Më: 26 gusht 2019 Në ora: 13:46
Foto ilustrim

Qindra njerëz janë evakuuar nga hotelet dhe plazhet e Greqisë për shkak të disa zjarreve që janë përhapur në pyje. Autoritetet greke i kanë angazhuar rreth 700 zjarrfikës gjatë fundjavës për t’i shuar flakët në disa pjesë të vendit.

Njëri nga zjarret më të mëdha është ai i ishullit Samos. Policia dhe ekipet e shpëtimit i kanë evakuuar qindra njerëz nga hotelet e këtij ishulli për shkak të rrezikut nga flakët dhe ajri i ndotur nga tymi i madh.

Greqia shpesh përballet me zjarre në natyrë për shkak të temperaturave të larta për muaj me radhë gjatë verës.

Të dielën, kryetari i Mbrojtjes Civile paralajmëroi për rrezik të lartë nga shpërthimi i zjarreve në disa rajone, përfshirë Peloponezin dhe Kretën.

Zjarri në Samos i detyroi autoritetet që t’i evakuojnë rreth një mijë turistë dhe banorë nga plazhet e famshme në pjesën lindore të ishullit.

Në disa fotografi të publikuara në rrjete sociale shihet tymi i madh që del nga malet dhe turistët duke u larguar me anije.

Departamenti i zjarrfikësve tha se shumica e flakëve janë vënë nën kontroll të hënën. Ndryshe, policia greke i ka arrestuar dy persona për dyshimet se kanë ndezur zjarre qëllimisht, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat