Bllokohet aeroporti i Mynihut, një person futet në pistën e aeroplanëve

Evropë

Bllokohet aeroporti i Mynihut, një person futet në pistën e aeroplanëve

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 12:10
Foto

Mijëra udhëtarë janë bllokuar në aeroportin e dytë më të madh të Gjermanisë, atë të Mynihut, pasi një person arriti të dilte në pistën e aeroplanëve përmes një rruge të gabuar që çonte te një dalje emergjente.

Zyrtarët e aeroportit shkruan në Twitter: “Sipas të dhënave që kemi tash për tash, një person ka hyrë në zonën e pastrimit në terminalin e dytë përmes daljes emergjente. Si rezultat i kësaj, policia i ka ndërmarrë veprimet e duhura”.

Lajmin për mbylljen e përkohshme të aeroportit e konfirmoi edhe kompania kryesore që operon në këtë aeroport, Lufthansa. “Terminali i dytë dhe zonat B e C të terminalit të parë tash për tash janë të mbyllura. Posa të marrim informata të tjera, do të ju informojmë”, thuhet në deklaratën e kësaj kompanie ajrore.

Aeroporti i Mynihut është aeroporti i tetë në Evropë sa i përket numrit të fluturimeve. Nëpër të për një ditë kalojnë mesatarisht rreth 130 mijë udhëtarë.

Udhëtarët që ishin duke pritur në aeroport u ankuan në rrjetet sociale për vonesën e madhe të fluturimeve të tyre. “A mund t’i informojë dikush njerëzit që po presin për kontroll të pasaportave që nga ora tetë e mëngjesit”, shkroi një udhëtar

Lufthansa tashmë i ka anuluar dhjetëra fluturime, ndërsa arritjet janë duke u vonuar. Ndonëse aeroplanët po lëshohen në aeroport, pista është duke u mbushur dhe ndryshimet e lokacioneve mund të fillojnë së shpejti, shkruan “Independent”,.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat