Qeveria britanike do të kërkojë nga mbretëresha që ta shpërndajë parlamentin

Evropë

Qeveria britanike do të kërkojë nga mbretëresha që ta shpërndajë parlamentin

Më: 28 gusht 2019 Në ora: 11:02
Parlamenti britanik

Qeveria britanike do të kërkojë nga mbretëresha Elizabetë për ta shpërndarë parlamentin disa ditë pasi deputetët të kthehen nga pushimi i verës dhe disa javë para afatit të fundit për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

BBC-ja raporton se një veprim i tillë do t’ia hapë rrugën kryeministrit Boris Johnson dhe administratës së tij për t’i paraqitur planet e reja të qeverisë më 14 tetor.

Sidoqoftë, kjo do të thotë se deputetët ndoshta nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për ta miratuar ndonjë ligj që do të mund ta parandalonte kryeministrin nga marrja e vendimit për largimin e Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje më 31 tetor.

Një burim i qeverisë tha: “Është koha që një qeveri e re dhe një kryeministër i ri ta hartojnë një plan për vendin pas largimit nga Bashkimi Evropian”.

Ideja e shpërndarjes së parlamentit ka nxitur kundërthënie të ndryshme. Analistët thonë se një veprim i tillë do t’ua pamundësonte deputetëve ushtrimin e rolit demokratik pas procesit të Brexit-it.

Besohet se vetëm një numër i vogël i ministrave të qeverisë janë të informuar për këtë plan dhe pritet që ai të shkaktojë kundërshtime të mëdha, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat