Itali: Pas disfatës, Matteo Salvini përballet me sfida dhe shpreson rikthimin - Bota Sot
Itali: Pas disfatës, Matteo Salvini përballet me sfida dhe shpreson rikthimin

Evropë

Itali: Pas disfatës, Matteo Salvini përballet me sfida dhe shpreson rikthimin

Më: 6 shtator 2019 Në ora: 23:27
Matteo Salvini

Planet e populistit të ekstremit të djathtë të Italisë, Matteo Salvini për t'u bërë kryeministri i vendit, dështuan. Mbështetja e tij në sondazhe ka rënë që kur ai shkaktoi një krizë politike artificiale, me shpresën se mund të orkestronte zgjedhje të parakohshme, të fitonte dhe të siguronte siç ishte shprehur ai "fuqi të plota".

Por e ka pësuar keq.

Zoti Salvini nuk e kishte marrë me mend që kryeministri në largim Giuseppe Conte do të bëhej rivali i tij i befasishëm. As që partnerët e tij të një koalicioni qeveritar jetëshkurtër dhe të trazuar, lëvizja anti-konformiste Pesë Yjet, do të arrinin një marrëveshje me Partinë Demokrate të krahut të majtë dhe do të binin dakord për një koalicion këtë javë me zotin Conte si kryeministër të ri.

Besnikët e tij tallen me idenë se Kapiteni, siç e quajnë atë do të mbetet i mënjanuar për një kohë të gjatë. Ata thonë se manovrat politike të shkollës së vjetër nga dy partitë - dikur armiq të betuar - thjesht po përgatit terrenin për kthimin e tij.

Ndërsa kabineti i ri me shtatë ministre femra dhe 11 ministra meshkuj bëri betimin, zoti Salvini, kreu i Partisë Lega, tha se forcat e errëta ishin pas formimit të qeverisë së re, duke thënë se "fuqi të forta" brenda Evropës ishin pas koalicionit të ri.

"Nuk do të zgjasë shumë," shkruajti ai në Twitter. "Duhet të bëjmë opozitë në parlament, në sallat e qyteteve dhe sheshe, dhe kështu do të votojmë dhe fitojmë."

Salvini thotë se ata që kanë frikë nga zgjedhjet mund t'i shpëtojnë një votimi për "tre ose gjashtë muaj", por në fund do të duhet të përballen me një parti Lega që është e gatshme t'i ofrojë Italisë një qeveri "të fortë dhe koherente" dhe jo një të manipuluar nga elitat apo qeveritë e huaja. Besnikët e tij u entuziazmuan nga gjuha e tij luftarake.

Por edhe po të mos merren në konsideratë kërcënimet populiste të Salvinit, është e vështirë të mendohet se qeveria e re do të jetë më pak e trazuar se paraardhësi i saj.

Marrëveshja mes dy partive, nuk është një koalicion natyral dhe nuk është e qartë se sa kohë mund të qendrojnë për të sjellë një fare qetësie, pas dramës politike. E vetmja gjë që ata kanë të përbashkët është frika nga Matteo Salvini dhe një vendosmëri për të frenuar atë.

Një koalicion mes tyre, rrezikon të jetë një aleancë tjetër e pazakontë e paralizuar nga mosmarrëveshjet e brendshme, paralajmërojnë analistët. Ndërsa Partia Demokrate është pro Bashkimit Evropian, Pesë Yjet është skeptike dhe në një kohë donte të eliminonte Euron, megjithëse tani është pajtuar me të majtët për për të zbutur kritikat e saj ndaj BE-së.

Por ideja për të parë se çfarë po bën zoti Salvini po e humb interesin. Nxitja e krizës nga ana e tij që çoi në përjashtimin e tij nga korridoret e pushtetit ishte një gabim strategjik.

Ambicia dhe pompoziteti, e bënë atë të humbte fokus.

Zoti Salvini përballet edhe me një rrezik tjetër. Prokurorët milanezë që dyshojnë se partia Lega kërkoi fonde të fshehta ruse, kanë të ngjarë të dyfishojë përpjekjet e tyre hetimore. Zoti Salvini i shpërfilli akuzat kur ato u shfaqën në fillim të këtij viti.

Sfidat e tjera ligjore mund ta dëmtojnë liderin e Legës.

Të enjten Salvini u vu nën hetim nga prokurorët në Romë me dyshimin e shpifjes për Carola Rackete, kapitenia gjermane e anijes së shpëtimit të Sea-Watch 3, e cili theu një bllokim detar të imponuar nga Salvini për të çuar në tokë imigrantë të shpëtuar. Hetimi pason një ankesë të paraqitur nga Rackete në korrik në të cilën kapitenia e anijes pretendoi se Salvini shpifi ndaj saj dhe kërkoi të ngjallte urrejtje ndaj saj./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...