Deputetët britanikë të gatshëm për gjyq me Johnson-in për Brexit-in

Evropë

Deputetët britanikë të gatshëm për gjyq me Johnson-in për Brexit-in

Më: 7 shtator 2019 Në ora: 12:11
Boris Johnson

Ligjvënësit britanikë janë duke përgatitur masa ligjore në rast se kryeministri Boris Johnson përpiqet ta kundërshtojë legjislacionin që e obligon atë të kërkojë shtyrje të Brexit-it. Kështu raportoi të shtunën transmetuesi publik i Britanisë, BBC.

Dhoma e Lordëve, e njohur ndryshe si dhoma e lartë e kuvendit britanik, e miratoi të premten rezolutën e opozitës, me të cilën kryeministri detyrohet të kërkojë shtyrje të Brexit-it nga Bashkimi Evropian në mënyrë që të shmanget largimi pa marrëveshje.

Pritet që Mbretëresha Elizabetë ta nënshkruajë atë dhe ta shndërrojë në ligj të hënën.

Qeveria ende nuk i ka komentuar këto raportime. Sipas BBC-së, disa ligjvënës, përfshirë edhe deputetët e përjashtuar nga Partia Konservatore këtë javë, e kanë përgatitur një ekip ligjor dhe janë të gatshëm të shkojnë në gjykatë, nëse një gjë e tillë është e nevojshme për zbatimin e këtij legjislacioni.

Në anën tjetër, kryeministri Johnson, i cili erdhi në pushtet në korrik, pas dorëheqjes së ish-kryeministres May, është i vendosur ta largojë Britaninë nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, me apo pa marrëveshje me liderët evropianë.

Ai e ka bërë të qartë se nuk planifikon të kërkojë ndonjë afat shtesë nga BE-ja. Madje, ai ka thënë se më parë do të pranonte të mbytet në pus, sesa ta kërkojë një gjë të tillë, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat