Aktivistët për mbrojtjen e klimës e pushtojnë tepihun e kuq në Festivalin e Filmit në Venecia

Evropë

Aktivistët për mbrojtjen e klimës e pushtojnë tepihun e kuq në Festivalin e Filmit në Venecia

Më: 7 shtator 2019 Në ora: 14:31
Foto

Qindra protestues në shenjë proteste e kanë shkelur tepihun e kuq në Festivalin e Filmit në Venecia të shtunën. Ata po kërkojnë më shumë masa për t’i luftuar ndryshimet klimatike dhe ndalimin e hyrjes së anijeve të turistëve në ujërat e qytetit.

Të veshur me rroba të bardha, rreth 300 protestues u ulën në tepihun e kuq, ku yjet e Hollivudit, si Brad Pitt, Scarlett Johansson dhe Joaquin Phoenix, kanë kaluar për të marrë pjesë në premierat e filmave më të rinj gjatë ngjarjes që zgjati 11 ditë.

Duke mbajtur pankarta në duar me mbishkrimet “Shtëpia jonë po digjet” dhe “Jo anijeve të turistëve”, protestuesit u ulën në hyrje të ndërtesës kryesore ku po mbahet festivali. Ata ishin të rrethuar nga policia.

“Dëshirojmë ta adresojmë temën e krizës klimatike, mendojmë se kjo është më e rëndësishme sesa çdo gjë tjetër në botë tash për tash”, tha Chiara Buratti, anëtare e komitetit të Venecias kundër anijeve turistike.

E shtuna është dita e fundit e këtij festivali, ndërsa fituesi i Luanit të Artë do të dihet në mbrëmjen e kësaj dite, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat