Jep dorëheqje edhe një ministre britanike, kritikon kryeministrin për vandalizëm politik

Evropë

Jep dorëheqje edhe një ministre britanike, kritikon kryeministrin për vandalizëm politik

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 08:19
Amber Rudd

Qeveria e kryeministrit britanik, Boris Johnson, ishte në rrezik nga rënia mbrëmjen e së shtunës pasi ministrja e punës dhe pensioneve, Amber Rudd, dha dorëheqje dramatike nga kabineti dhe u tërhoq nga Partia Konservatore. Ajo tha se nuk mund të qëndronte më tutje përderisa deputetët besnikë u dëbuan nga partia.

Në letrën e dorëheqjes, ajo e akuzoi kryeministrin Johnson për sulm ndaj demokracisë dhe vandalizëm politik për shkak të përjashtimit të 21 anëtarëve të Partisë Konservatore, të cilët i dhanë mbështetje një projektligji për parandalimin e Brexit-it pa marrëveshje.

Rudd i tha kryeministrit se i është bashkuar kabinetit qeveritar në mirëbesim, duke pranuar se largimi nga BE-ja pa marrëveshje ka mundur të jetë në tavolinë. Ajo tha: “Megjithatë, nuk besoj më që largimi nga Bashkimi Evropian me marrëveshje është objektivi kryesor i qeverisë”.

Ajo shtoi se ka vërejtur shpenzim të madh të energjisë nga qeveria për përgatitje për Brexit pa marrëveshje, por nuk e ka parë të njëjtin intensitet kur ka qenë fjala për bisedimet me Bashkimin Evropian.

Lidhur me vendimin e kryeministrit për t’i përjashtuar nga partia deputetët rebelë, ish-ministrja tha: “Ky largim shkurtpamës i kolegëve të mi e ka lënë partinë pa deputetët mendjehapur dhe të përkushtuar”.

Dorëheqja e ministres erdhi pas dorëheqjes së vëllait të kryeministrit, Jo Johnson. Pritet që vendimi i saj për largim nga qeveria ta shtojë presionin ndaj ministrave të tjerë, të cilët gjithashtu e kundërshtojnë Brexit-in pa marrëveshje, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat