Minorenët gjermanë, a janë trajtuar si skllevër në Rumani?

Evropë

Minorenët gjermanë, a janë trajtuar si skllevër në Rumani?

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 08:56
Ilustrim

Autoritetet rumune po hetojnë kundër një projekti gjerman të riedukimit të minorenëve me probleme, për shkak të akuzave të trajtimit si skllevër të tyre. Drejtuesit e kampit i hedhin poshtë akuzat.

Një skandal i ri ka tronditur Rumaninë. 5 vetë, mes tyre edhe drejtuesi gjerman i projektit social janë arrestuar e gjenden në paraburgim për shkak të dyshimit për tregti me njerëz, heqjen e lirisë dhe keqtrajtim të rëndë. Prokuroria rumune i akuzon këta persona, se kanë krijuar një organizatë kriminale, nën pretekstin zyrtar të „projektit të riedukimit” dhe kanë keqtrajtuar si skllevër pune një dyzinë të rinjsh nga Gjermania. Të paktën disa minorenë kanë dhënë dëshmi për metodat brutale.

Metodat e drejtuesve gjermanë të projektit dhe ndihmësve rumunë përfshijnë dënimin me heqjen e ushqimit dhe lirisë deri në mbyllje në dhoma dhe rrahje. 12-18 vjeçarëve u janë marrë pasaportat, ata duhej të kryenin punë të rënda në fermat e fshatrave dhe shpesh të flinin me kafshët në stalla.

Drejtuesit e projektit dhe disa minorenë të tjerë nuk i kanë pranuar akuzat.

Projekti Maramures

Prej 15 vjetësh një çift gjerman në veri të Rumanisë drejton projektin në Maramures, një rajon malor piktoresk. Projekti social u dedikohet të rinjve me probleme edukimi nga Gjermania. „Projekti Maramures” që financohet nga Gjermania premtonte një fillim të ri për shumë të rinj nga familje me probleme sociale. Të rinj me probleme psikike, të varur nga droga apo me vepra penale duhet të zhvillonin një perspektivë të re në një botë tjetër.

Dihet, se jeta e banorëve në Maramures është e vështirë. Dita e punës aty fillon në orën 5 të mëngjesit, lopët dhe derrat duhen ushqyer, duhen pastruar stallat, duhet marrë dru nga pyjet afër. Fëmijët aty kanë punuar gjithmonë, qoftë në ndërtimin e shtëpisë, në kovaçhanë apo në tezgjah.

Një botë tjetër për të rinjtë gjermanë, që sillen nga Zyrat e Rinisë nga Gjermania në Viseu de Sus, nën patronazhin e drejtuesve gjermanë të projektit dhe ndihmësve rumunë. Të rinjtë duhet të „riedukoheshin” përmes punës së rëndë. Që në vitin 2007 ka pasur një artikull në shtypin rumun për parregullsi të dukshme në Viseu de Sus.

Riedukimi jashtë vendit- një biznes i majmë?

Një vit më parë ishte „Spiegel” që kishte raportuar, se organizata që është vështirë të mbikqyren, në rajone po ashtu shumë të largëta, jashtë Gjermanisë shfrytëzojnë rregullisht të rinj me probleme edukimi. Projekte të tilla ka jo vetëm në Rumani, por edhe në Poloni, Greqi, Rusi dhe në Kaukaz. Të gjitha funksionojnë sipas një modeli: Punë e rëndë, dënime të ashpra në rast mosbindjeje, deri edhe rrahje, heqje e ushqimit dhe lirisë. Edhe për „Projektin Maramures” ka raportuar „Spiegel”-i.

„Shanset e fundit” për të rinjtë shumë problematikë nuk i kushtojnë pak shtetit gjerman. Për secilin minoren autorët e projektit Maramures kanë marrë nga 4.000-6.000 Euro në muaj. Pas një faze „përshtatjeje” prej disa muajsh në qendrën e projektit, të rinjtë dërgohen në familje pritëse, që marrin në muaj nga 200-600 Euro, shto edhe punën e papaguar të të rinjve. Projekti Maramures ka nën patronazh 30 minorenë.

Bashkëpunëtorë lokalë

Raportet zyrtare të autoriteteve rumune bëjnë të ditur vuajtjen e këtyre fëmijëve. Madje ka të dhëna, se janë bërë edhe ndërhyrje mjekësore kundër vullnetit të tyre. Vajzave u janë bërë gjilpëra disa herë në vit, „me qëllim që të mos mbeten shtatzëna”. Prokuroria bëri të ditur, se ka pasur disa përpjekje për vetëvrasje, si pasojë e traumave fizike dhe psikike.

E pyetur nga Deutsche Welle, nëse autoritetet rumune e kanë kryer detyrën e tyre për kontroll dhe verifikim, prokuroria përgjigjet, se nuk ka pasur të dhëna, që të provonin të kundërtën. Ka pasur të dhëna, që të fajësuarit kanë pasur disa bashkëpunëtorë në instancat lokale, si policia, bashkia, shërbimet sociale, të cilët i kanë njoftuar drejtuesit për kontrollet e planifikuara. Kështu të rinjtë „problematikë” janë „qetësuar” me medikamente. Por autoritetet lokale nuk i pranojnë akuzat. Një pyetje tjetër e Deutsche Welles për Agjencinë Kombëtare të Çështjeve Sociale mbeti pa përgjigje. Thuhet vetëm, se një komision ministror është duke marrë në shqyrtim procedurat në Maramures.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat