Britania ka kohë deri në fund të shtatorit për të dalë me plan të ri për Brexit

Evropë

Britania ka kohë deri në fund të shtatorit për të dalë me plan të ri për Brexit

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 13:24
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson

Kryeministri i Finlandës, Antti Rinne, tha se kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, ka kohë deri në fund të shtatorit për të paraqitur planin e tij për Brexit, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Rinne tha se ai dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u pajtuan që Britania duhet të dalë me propozime të shkruara deri më 30 shtator; në të kundërtën, siç thanë ata, "merr fund".

Finlanda mban aktualisht presidencën e BE-së.

"Ne do të vazhdojmë të negociojmë dhe do të dalim me propozime në kohë të duhur", tha një burim i Qeverisë britanike, transmeton BBC.

Johnson ka thënë më herët se marrëveshja me Bashkimin Evropian, mbi kushtet e divorcit, është e mundur të arrihet në një samit të udhëheqësve të BE-së më 17 tetor, por ai ka këmbëngulur se Brexit-i do të ndodhë në afatin e 31 tetorit me ose pa marrëveshje.

Vitin e kaluar, paraardhësja e Johnsonit, Theresa May, ka arritur marrëveshje me BE-në për Brexit-in, por ajo është refuzuar tri herë nga Parlamenti - çfarë e ka detyruar Mayn të japë dorëheqje.

Kundërshtimet e marrëveshjes kanë pasur të bëjnë kryesisht me politikat që i parashihte në kufirin me Irlandën.

Institucionet financiare e kanë paralajmëruar Britaninë për pasoja të rënda ekonomike nëse ajo e lë BE-në pa marrëveshje.

Qytetarët britanikë kanë vendosur për Brexit-in në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat