Zviceranët mbajnë “funeral” për akullnajën e shkrirë nga ngrohja globale

Evropë

Zviceranët mbajnë “funeral” për akullnajën e shkrirë nga ngrohja globale

Më: 23 shtator 2019 Në ora: 16:13
Foto ilustrim

Qindra zviceranë e kanë mbajtur një funeral simbolik për një akullnajë që është shkrirë për shkak të ngrohjes globale.

Aktivistët për mbrojtjen e klimës u veshën me rroba të zeza dhe u ngjitën në lartësi mbidetare prej 2600 metrash për t’i respektuar mbetjet e fundit të akullnajës “Pizol”, në pjesën lindore të Zvicrës.

Më shumë se 80 për qind e akullit të kësaj akullnaje është shkrirë nga viti 2006, ndërsa tash kanë mbetur vetëm edhe 26 mijë metra katrorë. Kjo akullnajë i kishte 320 mijë metra katrorë akull në vitin 1987. Ajo pritet të zhduket tërësisht në fund të dekadës së ardhshme.

Megjithatë, ajo ka humbur aq shumë akull, saqë në aspektin shkencor nuk cilësohet më si akullnajë, tha Alessandra Degiacomi nga Shoqata Zvicerane për Mbrojtjen e Klimës.

Aktivistët e shpallën të vdekur akullnajën në një ceremoni simbolike të dielën. Gjendja e saj është përcjellë që nga viti 1893, ndërsa tash do të jetë akullnaja e parë që do të largohet nga rrjeti zviceran për monitorimin e akullnajave.

Një organizim i ngjashëm ishte organizuar edhe në Islandë në muajin gusht, kur një grup njerëzish e kishin shënuar “vdekjen” e një akullnaje në ishull për shkak të ngrohjes globale, shkruan “Independent”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat