“Supremacistët e bardhë”: Kush janë luftëtarët e rinj që po marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen e zyrtarëve të zbulimit perëndimor? - Bota Sot
“Supremacistët e bardhë”: Kush janë luftëtarët e rinj që po marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen e zyrtarëve të zbulimit perëndimor?

Evropë

“Supremacistët e bardhë”: Kush janë luftëtarët e rinj që po marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen e zyrtarëve të zbulimit perëndimor?

Më: 30 shtator 2019 Në ora: 22:22
Foto

Një lloj i ri luftëtarësh të huaj po gjallon. Janë me mijëra njerëz që grumbullohen në një zonë lufte, thjesht për aventurë ose për kauzat e tyre. Ata po marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen e zyrtarëve të zbulimit perëndimor.

Këta luftëtarë nuk janë xhihadistë që shpresojnë t’i bashkohen ndonjërës prej provincave të kalifatit virtual të grupit terrorist të Shtetit Islamik dhe as nuk e radhisin veten përkrah ndonjë prej grupeve të lidhura me rivalin ISIS-it, Al-Kaidën.

Ata janë ekstremistë të djathtë e supremacistë të bardhë dhe shkojnë në Ukrainë në një numër të konsiderueshëm, çka të kujton lëvizjet e luftëtarëve për në Siri, në ditët e para të konfliktit.

Sipas një raporti të publikuar të hënën nga organizata jofitimprurëse me qendër në Nju Jork The Soufan Center, më shumë se 17 mijë vetë nga 50 vende të ndryshme përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë udhëtuar drejt Ukrainës gjatë viteve të fundit për të luftuar si për forcat pro-ukrainase ashtu edhe ato pro-ruse.

Pjesa dërrmuese, rreth 15 mijë kanë ardhur nga Rusia. Por studiuesit paralajmërojnë që të vëzhgohen me kujdes pjesa tjetër gjithsej 2,200 vetë.

“Një numër shumë i madh janë ekstremistë të bardhë”, thotë Jason Blazakis, studiues në qendrën Soufan dhe profesor në Institutin e Middlebury për Studimeve Ndërkombëtare (MIIS).

“Pjesa më e madhe e këtyre luftëtarëve të huaj vijnë nga një rajon i afërt” shton ai, “800 luftëtarë nga Bjellorusia dhe qindra të tjerë nga Gjermania, Gjeorgjia, Serbia, nga e gjithë Evropa”.

“Kjo në një farë mënyre, nuk është shumë e ndryshme nga ajo që kemi parë me ISIS-in” thotë zoti Blazakis.

Supremacistët e Bardhë, “një sfidë ndërkombëtare”

Në fillim të vitit 2015, Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit me bazë në Londër (ICSR) doli në përfundimin se rreth 21 mijë luftëtarë të huaj nga 50 vende, më shumë se gjysma e të cilëve të ardhur nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, kishin udhëtuar për të luftuar gjatë luftës civile në Siri.

Kjo shifër e tejkaloi totalin prej 20 mijë luftëtarësh të huaj që patën shkuar në Afganistan për të luftuar në vitet 1980.

“Ekstremizmi i supremacistëve të bardhë është një sfidë ndërkombëtare, tentakulat e të cilit shtrihen nga Australia në Ukrainë, në Norvegji e Zelandën e Re”, thuhej në një njoftim të qendrës Soufan.

“Supremacistët e bardhë po formojnë rrjete botërore, ashtu siç vepruan xhihadistët përpara 11 shtatorit dhe po mësojnë nga taktikat e tyre”, thuhej gjithashtu në njoftim.

Atë çka bëri Siria për xhihadistët, po e bën Ukraina për supremacistët e bardhë.

Një nga destinacionet më të spikatura për këta luftëtarë është batalioni Azov, një forcë pro-ukrainase për të cilën analistët thonë se ka përqafuar pikëpamjet neo-naziste duke synuar të rekrutojë anëtarë të grupe të krahut të djathtë ose të bardhë supremacistë në të gjithë botën.

Por edhe forcat pro-ruse kanë gjetur terren pjellor për rekrutimin.

“Serbët e Serbisë dhe ata të Republikës Srpska të Bosnjës u janë bashkuar kryesisht militantëve separatistë pro-rusë që luftojnë në Ukrainën Lindore”, thotë Adrian Shtuni, ekspert për politikat e jashtme dhe sigurisë përqëndruar në Ballkan.

“Disa janë të lidhur me organizatat paramilitare ultranacionaliste serbe. Disa prej tyre dyshohet se janë punësuar si mercenarë nga kompania ushtarake private ruse Wagner”, shton ai.

Zoti Shtuni thotë se sipas vlerësimeve zyrtare 300 serbë kanë luftuar në Ukrainë që nga viti 2014 dhe rreth 30 persona janë dënuar tashmë nga gjykatat serbe.

Rusia dhe rritja e ekstremizmit të djathtë

Rusia gjithashtu e ka hedhur vështrimin përtej besnikërive tradicionale për të gjetur mbështetje.

“Ngritja e supermacistëve të bardhë në shoqërinë perëndimore dhe grupeve të ekstremit të djathtë në Evropë ka qenë pjesë e një fushate dezinformimi nga qeveria ruse për të kontribuar drejtpërdrejt në gjallërimin e tyre”, thotë Ali Soufan, një ish-agjent i FBI-së dhe themelues i qendrës Soufan.

“Ata thjesht kanë shfrytëzuar çdo gjë për të krijuar përçarje në shoqëritë perëndimore” thotë ai. “Atyre nuk u intereson nëse është supremacist i bardhë, apo një grup tjetër. Ata bëjnë gjithçka dhe shohin se çfarë funksionon”.

Zyrtarët perëndimorë shqetësohen se kjo metodë ka funksionuar mjaft mirë.

Në Evropë, zyrtarët e zbulimit shohin se Kremlini po mbështetet gjithnjë e më shumë në marrëdhëniet që ka zhvilluar me partitë politike të ekstremit të djathtë ose nacionaliste, të cilat janë ngritur nga të qenurit grupe periferike, në lojtarë kryesorë politikë.

Lidhjet me bazë në SHBA

Problemi ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e zyrtarëve në Shtetet e Bashkuara, vend nga i cili kanë shkuar më shumë se 30 shtetas për të luftuar përkrah forcave pro-ukrainase ose pro-ruse në Ukrainë.

Më 23 shtator, Shtetet e Bashkuara ngritën padi ndaj një ushtari në Fort Riley të Kansasit për shpërndarje të informacioni për eksplozivë e armë të shkatërrimit në masë.

24-vjeçari Jarrett William Smith kishte shkruar edhe në Facebook rreth interest të tij për të shkuar në Ukrainë për t’iu bashkuar batalionit të Azovit.

Zyrtarët amerikanë dhe ekspertët kanë gjetur lidhje mes Lëvizjes Ruse neo-Naziste dhe një grupi supremacistësh të bardhë me qendër në Kaliforni, të quajtur Ngritja përtej lëvizjes, udhëheqësi i së cilës u arrestua për nxitje të trazirave vdekjeprurëse në Charlottesville të shtetit të Virxhinias në 2017.

Kacper Rekawek, kreu i programit për sigurisë kombëtare në GLOBSEC, një organizatë ekspertize me qendër në Sllovaki, beson se lidhje të tilla duhet të shërbejnë si një paralajmërim se ky fluks luftëtarësh të huaj supremacistë të bardhë në konfliktin e Ukrainës, është vetëm fillimi.

“Ekziston një rrjet që ka prodhuar këtë mobilizim”, thotë ai në një video të postuar në internet, realizuar nga Projekti Kundër Ekstremizëm me qendër në SHBA.

Disa vende evropiane si Holanda, shpresojnë se të njëjtat ligje që ata kanë vendosur për të goditur xhihadistët që i bashkohen grupeve terroriste në Siri dhe Irak, do t’i lejojnë ata që të bëjnë të njëjtën gjë me luftëtarët supremacistë të bardhë.

Por zyrtarët amerikanë thonë se tani për tani, përveçse në rastet kur ka dyshime se është shkelur ligji, nuk ka shumë hapësirë për të ndërhyrë.

“Konflikti në Siri dhe Irak u gjurmua nga afër për shkak të numrit të pashembullt të luftëtarëve të huaj terroristë që iu bashkuan ISIS-it dhe al-Kaidën, të cilat janë shpallur si organizata të huaja terroriste”, thotë për Zërin e Amerikës një zyrtar i lartë amerikan i kundër terrorizmit.

Grupet me bazë në SHBA si “Divizioni Atomwaffen” dhe “Ngritja përtej Lëvizjes” (R.A.M.), të cilat po kërkojnë të krijojnë lidhje me grupe me bazë në Evropë, nuk janë shpallur të tillë.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...