Marrëveshja për zgjedhje në lindje të Ukrainës nxit reagime të përziera

Evropë

Marrëveshja për zgjedhje në lindje të Ukrainës nxit reagime të përziera

Më: 2 tetor 2019 Në ora: 20:18
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Vendimi i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në zonat e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës, sipas disa kushteve të sigurisë, ka nxitur pakënaqësi, duke përfshirë protesta në Ukrainë, derisa është përshëndetur nga Kremlini.

Politikanët opozitarë dhe mbështetësit e tyre në Ukrainë kanë treguar zemërimin e tyre për marrëveshjen, e cila është arritur në Minsk, bashkë me Rusinë dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila sipas Zelenskiyt hap rrugën për bisedime të drejtpërdrejta me Moskën, ashtu që t’i jepet fund luftës në Donbas, nga e cila kanë vdekur më shumë se 13,000 persona nga viti 2014.

Ai ka shtuar se nuk do të ketë zgjedhje në zonat e separatistëve në Donetsk dhe Luhansk derisa të gjitha formacionet të largohen nga zona dhe Ukraina të fitojë kontrollin e rreth 400 kilometrave në kufi me Rusinë.

“Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë zgjedhje të mbajtura në zona të shënjestruata. Nuk do të ketë kapitullim”, ka thënë Zelenskiy.

Sipas asaj që dihet në dokumentin e ashtuquajtur, Formula e Steinmeier-it, rajonet e pushtuara do të sigurojnë statusin vetë-qeverisës pasi të mbajnë zgjedhjet.

Mediat ruse kanë raportuar se Kremlini ka thënë më 2 tetor se miraton marrëveshjen.

Moska i ka kërkuar Kievit që të pajtohet për Formulën Steinmeier para se të ndodhë takimi në mes të Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës.

Këto katër shtete nuk janë takuar për të diskutuar mundësitë për paqe nga tetori i vitit 2016.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se ndërkohë pritet të caktohet data për bisedimet e Normandisë, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, TASS.

Pavarësisht të dhënave që thonë të kundërtën, Rusia mohon se ka pasur rol në konfliktin në lindje të Ukrainës, duke përfshirë furnizimin me armë apo ndihmë tjetër për separatistët.

Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina më 2014 dhe ka përkrahur separatistët në rajonet Donetsk dhe Luhansk pasi, ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, është larguar nga pushteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat