Skocezët përsëri kërkojnë shkëputje nga Britania e Madhe

Evropë

Skocezët përsëri kërkojnë shkëputje nga Britania e Madhe

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 15:49
Skocezët

Përkrahësit e pavarësisë së Skocisë janë duke u mbledhur për një marsh në Edinburgh. Organizuesit e protestës thonë se po rritet momentumi për shkëputje nga Britania për shkak të rrezikut nga Brexit-i pa marrëveshje.

Ata që e kanë organizuar këtë tubim thonë se presin pjesëmarrje të qindra mijëra njerëzve, pas përfundimit të marsheve paraprake në Glasgow, Aberdeen dhe Perth, të cilat u mbajtën gjatë verës.

Një zëdhënës i këshillit të qytetit tha: “Siguria e publikut është shumë e rëndësishme për ne dhe kemi punuar ngushtë me organizuesit, policinë dhe partnerët tjerë në mënyrë që të sigurohet kalim i lirë i protestuesve nëpër rrugën e tyre”.

Për më tepër, policia e Skocisë përmes një deklarate tha: “Një plan gjithëpërfshirës policor është duke u zbatuar dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me organizatorët. Ngjarja do të përcillet ashtu si duhet”.

Skocia kishte mbajtur referendum për pavarësimin nga Britania e Madhe në vitin 2014. Rreth 55 për qind e votuesve ishin kundër pavarësisë, ndërsa 45 për qind e përkrahën atë, shkruan “The Guardian”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat