Arrestohen pesë gjermanë të dyshuar për lidhjet me PKK-në

Evropë

Arrestohen pesë gjermanë të dyshuar për lidhjet me PKK-në

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 18:31

Policia turke arrestoi pesë gjermanë të dyshuar si anëtarë të një organizate kurde, njoftoi një agjenci pro-kurde, e cila pa përmendur emrin e kësaj organizate, i është referuar Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), konsideruar si terroriste nga Ankaraja.

“Të dyshuarit janë arrestuar këtë javë dhe janë burgosur në Ankara nën akuzat e propagandës dhe pjesëmarrjes në këtë organizatë”, njoftoi sot agjencia pro-kurde Mezopotamya.

Sipas kësaj agjencie, këto arrestime u kryen në kuadër të një hetimi të ndërmarrë nga prokuroria e Ankarasë, por kjo e fundit nuk i ka konfirmuar ende këto informacione.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme theksoi se ishte në dijeni të kësaj çështjeje duke shtuar se ambasada gjermane në Ankara u ka dhënë ndihmë konsullore gjermanëve të ndaluar.

Ministria gjermane e Brendshme mohoi se informacionet që kishin mundësuar arrestimin e pesë gjermanëve u ishin dorëzuar autoriteteve turke gjatë vizitës së zhvilluar këtë javë në Ankara nga ministri gjerman i Brendshëm, Horst Seehofer.

“Ajo që nuk dimë, është nëse një shkëmbim i tillë informacionesh ka ndodhur në kuadër të bashkëpunimit rutinë mes shërbimeve tona të sigurisë”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme gjermane. /atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat