Brexit, negociatat me Brukselin në prag të ndërprerjes

Evropë

Brexit, negociatat me Brukselin në prag të ndërprerjes

Më: 8 tetor 2019 Në ora: 21:15
Ilustrim

Negociatat për Brexit-in mes Londrës dhe Brukselit duket se kanë arritur në prag të ndërprerjes, pak më shumë se tri javë para datës së parashikuar të tij, pasi Brukseli e akuzon kryeministrin britanik, Boris Johnson, se po luan me të ardhmen e Europës.

Evropianët i kanë dhënë afat deri në fund javës qeverisë britanike që t’u paraqesë një kompromis të pranueshëm, për të mbërritur kështu në një ndarje miqësore më 31 tetor, pas 46 vitesh bashkëjetesë. Të dy palët nuk e fshehin pesimizmin e tyre, sidomos pas bisedës telefonike midis kancelares gjermane, Angela Merkel dhe kryeministrit britanik, Boris Johnson, gjatë së cilës Merkel e paralajmëroi këtë të fundit se një marrëveshje për Brexit-in do të qe jashtëzakonisht e pagjasë, për shkak të propozimeve të reja nga ana e Londrës për Irlandën, sipas një burim në Downing Street.

Sipas po të njëjtit burim, duke patur parasysh përmbajtjen e bisedës, marrëveshja është praktikisht e pamundur për Downing Street-in. “Nuk ka ndryshuar gjë nga negociatat e ditës së hënë dhe modifikimet e paraqitura nga Londra, tani për tani, nuk përbëjnë ndonjë ndryshim të madh”, tha një burim evropian në Bruksel./ATSH/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat