Merkel takon Macron-in para samitit të 17 tetorit

Evropë

Merkel takon Macron-in para samitit të 17 tetorit

Më: 13 tetor 2019 Në ora: 14:25
Emmanuel Macron pret sot kancelaren Angela Merkel në Paris

Presidenti francez Emmanuel Macron pret sot kancelaren Angela Merkel në Paris, përpara samitit të pritshëm të liderëve të BE më 17 tetor.

Ndonëse mediat e huaja raportojnë se në qendër të bisedimeve të tyre do të jetë çështja e Brexit-it, pritet që kancelarja Merkel, të tentojë të bindë Macron-in për të ndryshuar qëndrim në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Parisi këmbëngul në domosdoshmërinë e reformimit të bllokut dhe hartimin e një strategjie të re për zgjerimin, që do të shtynte dhënien e datës për vitin e ardhshëm. Këto qëndrime të francezëve pritet të jenë tema kryesore e takimit të ministrave të jashtëm të BE, që do të mbahet të martën. Sidoqoftë, vendimi final për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të merrej në samitin e BE-së më 17 dhe 18 tetor.

E përballë kësaj paqartësie, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, thotë se beson që më 18 tetor, do të jepet drita jeshile për fillimin e negociatave, pasi liderët e BE e kanë premtuar këtë dhe nuk do të tërhiqen.

“Presim që BE të mbajë fjalën. Ne nuk presim që më 18 tetor të bëhemi anëtar fuqiplotë, jemi të vetëdijshëm se është një rrugë, është një proces nëpër të cilin duhet të kalojmë, por ky do të jetë vetëm hapi i radhës në rrugëtimin tonë.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat