Ligjvënësit britanikë mbështesin shtyrjen e Brexit-it

Evropë

Ligjvënësit britanikë mbështesin shtyrjen e Brexit-it

Më: 19 tetor 2019 Në ora: 16:41
Kryeministri britanik, Boris Johnson

Ligjvënësit britanikë kanë votuar një amandament të shtunën që mund të shtyjë procesin e daljes nga Bashkimi Evropian, derisa të gjitha ligjet të kalojnë në Parlament.

Ligjvënësit britanikë të Partisë së Bashkimit Demokratik votuan amandamentin e quajtur Letwin, duke hedhur poshtë propozimet e kryeministrit Boris Johnson.

Kjo parti mbështet daljen nga Bashkimi Evropian, por nuk qëndron me propozimet e kryeministrit Johnson për Irlandën veriore.

Ligjvënësit britanikë u mblodhën të shtunën ku pritej që të votohej marrëveshja e arritur mes Bashkimit Evropian dhe kryeministrit Johnson, por votimi u shty me anë të këtij amandamenti.

Ky amandament e ndalon miratimin e marrëveshjes derisa i tërë legjislacioni të miratohet në Parlament – veprim ky i cili automatikisht e obligon kryeministrin të kërkojë shtyrjen e datës deri më 31 janar.

Por, kryeministri Johnson tha se nuk do të kërkojë nga BE-ja shtyrje të afatit dhe se do të hedh në votim propozimin sërish javën e ardhshme.

Deputetë të Bashkimit Demokratik kanë deklaruar se “ne do të dështojmë në përgjegjësitë tona nëse nuk përdorim çdo strategji” për të siguruar këto ndryshime në marrëveshje.

Image
Protesta në Londër

Në anën tjetër, mijëra protestues u mblodhën të shtunën para Parlamentit britanik duke kundërshtuar marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian dhe propozimet e kryeministrit Johnson.

Mbështetësit e kampanjës “Vota e Popullit”, deklaruan se ata duan të sigurojnë që Mbretëria e Bashkuar është e lumtur që do të largohet nga BE-ja, nën marrëveshjen e arritur.

Ata kishin veshur bluza, kapela dhe mbanin flamuj që tregojnë përkrahjen e vazhdimit të qëndrimit në bllokun evropian.

Marrëveshja e re

Sipas marrëveshjes, Irlanda Veriore mbetet në zonën doganore të Britanisë së Madhe, por nën një sistem kompleks, por të gjitha procedurat e BE-së do të zbatohen atje për mallrat që mbërrijnë.

Nuk do të ketë kontrolle doganore në ishullin e Irlandës, pasi ato do të bëhen në porte.

Mallrat që shkojnë nga Britania e Madhe në Irlandën Veriore nuk do t'i nënshtrohen tarifave.

Përfaqësuesit e Irlandës Veriore do të jenë në gjendje të vendosin çdo katër vjet nëse do të vazhdojnë të zbatojnë rregullat e Unionit.

Michele Barnier, shefi negociator i Bashkimit Evropian për Brexit, i kishte thënë BBC-së se pika e fundit, duke lejuar votimin në Asamblenë e Irlandës Veriore, ishte një "gur themel i marrëveshjes së re".

Marrëveshja mes Johnson dhe Bashkimit Evropian është rishikuar të enjtën në samitin e Brukselit. Kryeministri Johnson ka insistuar që nuk do ta shtyjë në asnjë mënyrë afatin e përcaktuar më 31 tetor për dalje nga BE-ja, duke bërë thirrje që të gjithë deputetët të mbështesin marrëveshjen e re.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​/REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat