Socialdemokrati gjerman: Populli duhet të kërkojë alternativa të tjera

Evropë

Socialdemokrati gjerman: Populli duhet të kërkojë alternativa të tjera

Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 15:22
Josip Juratoviq

Socialdemokrati gjerman, Josip Juratoviq, deputet në Bundestag kritikon autoritetet e Bosnje-Hercegovinës për gjendjen në këtë vend. Por ai kritikon edhe zgjedhësit, të cilët votojnë partitë nacionaliste.

Zoti Juratoviq, ju keni qenë këto ditë në Shtutgart, në takimin me shtetasit e Bosnjë-Hercegovinës që jetojnë në Gjermani dhe vendet e tjera. Çfarë domethënie kanë takime të tilla për B-H dhe Ballkanin?

Josip Juratoviq: „Kaherë marr pjesë në takime të tilla. Këto janë takime të njerëzve të suksesshëm me origjinë nga Ballkani Perëndimor. Kjo është një lloj fuqie. Këtu e sheh se shumë prej nesh janë të suksesshëm në botën e jashtme. Është shumë me rëndësi që këto suksese të transferohen edhe në vendet prej nga vijnë. Pikërisht tani, kur shumë të rinj ikin nga vendet e tyre dhe vijnë në Perëndim, do të ishte mirë që kjo dituri dhe kjo energji të transferohet në vendet prej nga vijnë. Një nga qëllimet kryesore të Procesit të Berlinit është forcimi i tregut në rajon dhe i infrastrukturës atje. Me rëndësi është që ekonomia atje të rimëkëmbet dhe që njerëzit të mos detyrohen të ikin."

Image

A jeni të kënaqur me rezultatet e Procesit të Berlinit dhe cilat janë problemet më të mëdha me të cilat po përballet ky Proces?

„Unë jam, mund të them, një nga iniciatorët dhe bartësit e Procesit të Berlinit dhe kam mësuar shumë gjatë këtij procesi. Kur flasim për realizimin e qëllimeve, të gjitha po zhvillohen shumë ngadalë, sepse në rajon nuk ekziston ajo që nevojitet më së shumti - bashkëpunimi rajonal ekonomik, për shkaqe politike. Politika duhet të angazhohet qartë për fuqizimin e tregut në të gjithë rajonin. Këtu kemi deficite të mëdha, ndaj jam i pakënaqur me arritjet dhe shpejtësinë e procesit. Nga vendet e rajonit po largohen çdo vit me qindra mijëra të rinj, po largohen me familje të tëra, sepse ata nuk shohin perspektivë në vendin e tyre. Mendoj se politika është përgjegjëse për këtë gjendje. Ndaj ajo duhet të fillojë me bashkëpunimin konkret në rajon dhe të krijojë një platformë të suksesshme për investime, që do të përmirësonin gjendjen dhe të rinjtë nuk do të largoheshin."

Në Ballkanin Perëndimor po pritet me padurim ligji i ri për migracionin në Gjermani. Shumë njerëz në Ballkan kanë përgatitur valixhet...

„E di që shumë njerëz do të largohen nga rajoni, por unë nga Gjermania, ku jetohet mirë, nuk mund të them - rrini atje dhe dhe pritni kohëra më të mira. Ky është një prej shkaqeve pse urgjentisht duhet të ndërmerret diçka, për të hapur perspektivë për njerëzit në rajon. Mendoj se këtë duhet ta bëjë në radhë të parë politika. Por politika paraqet vetëm njërën anë të medaljes. Ana tjetër janë qytetarët dhe shoqëria, e cila në 25 vitet e fundit në mënyrë permanente në zgjedhje voton për të njëjtën politikë. Nuk e di, kur ky popull do të vetëdijësohet dhe të kuptojë partitë me orientime nacionaliste, pavarësisht se cilit komb i përkasin, janë armiku më i madh i popullit të tyre.

Image

Shumë shpesh mund të dëgjosh edhe mendime, se vendet e Bashkimit Evropian janë ngopur me Ballkanin Perëndimor. A mund të thuhet se BE dhe Gjermania janë ngopur me problemet e Ballkanit Perëndimor?

„Nuk jemi ngopur me Ballkanin Perëndimor. Por fakt është që kur shikojmë parametrat botërorë, aktualisht ka probleme edhe më të mëdha. Duhet të jemi të sinqertë: Me kë duhet të flasim në B-H? Nuk kemi qeveri atje. Ata kanë bërë një parlament, vetëm sa për të marrë rrogat, por nuk ka qeveri. Kemi pra një qeveri teknike, e cila pretendon të mbetet përgjithmonë në këtë gjendje. Me kë të flasim atje? Tek e fundit, në 20 vitet e fundit flasim gjithmonë me persona të njëjtë, të cilët vijnë nga parti me orientim nacionalist dhe të cilët gjithmonë thonë se pala tjetër e ka fajin. Atje nuk kërkohet zgjidhje, por kërkohet rrugë për ikjen e zgjidhjeve që ofron pala tjetër. Zgjidhjen e vet e konsiderojnë gjithmonë më të mirën."

Pse është kështu?

"Xhirollogaritë e tyre janë të majme, ata kanë vila, biznese të ndryshme në sfond. Pse të futen në BE? Ata kanë frikë nga sindroma Sanader. Paramendojeni sikur atje të hapim Kapitujt 23/24. Gjysma do të përfundonte ndoshta në burg, kështu mendoj unë të paktën. Pra ata nuk duan në BE. Kjo është gënjeshtër e kulluar. Ata thonë se duan të futen në BE, por e lusin Zotin që kjo të mos ndodhë kurrë. Ky është fakt. Ndaj populli duhet të përpiqet të gjejë ndonjë alternativë tjetër. (...) Dallimi mes rinisë dikur dhe asaj sot është që rinia e sotme nuk do të angazhohet. Ata largohen nga vendi dhe kjo është tragjedi. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por kjo situatë më shqetëson. Tani kemi edhe situata kur parlamentet bojkotohen, njerëzit nuk dalin në zgjedhje...Kjo është rrugë absolutisht e gabuar."

Josip Juratoviq është deputet në Parlamentin gjerman dhe kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me vendet e Evropës Juglindore. Ai është me origjinë nga Kroacia./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat