Kroacia planifikon zgjerimin e BE’së gjatë kryesimit të saj

Evropë

Kroacia planifikon zgjerimin e BE’së gjatë kryesimit të saj

Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 19:54
Foto ilustrim

Çështja e reformave të BE-së mund të vazhdojë paralelisht me zgjerimin dhe Kroacia do të përpiqet të tregojë se zgjerimi është një proces i besueshëm, pasi është një nga politikat më të suksesshme europiane, deklaroi ambasadori kroat në Serbi, Gordan Bakota duke shtuar se Kroacia ka përgjegjësi të veçantë për të kaluar pishtarin e zgjerimit gjatë presidencës së saj në BE.

“Është tepër e ndërlikuar të arrihet uniteti i BE-së për tema të tilla, por ne do të bëjmë çmos për të treguar se sa i rëndësishëm është zgjerimi për transformimin e vendeve dhe na vjen keq që Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk iu dha një datë për hapjen e negociatave të pranimit”, theksoi sot Bakota për të përditshmen serbe ”Danas”, me rastin e presidencës gjashtëmujore të radhës të BE-së nga Kroacia, që nga 1 janari i vitit 2020.

Bakota shtoi, se gjatë presidencës së Kroacisë, do të bëhen hapa përparimtarë, si në lidhje me hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, ashtu edhe për vazhdimin e integrimit të Serbisë në BE.

Ai theksoi se Kroacia dëshiron gjithashtu të shohë Bosnje-Hercegovinën të përparojë në udhëtimin euro-atlantik.

Bakota vuri në dukje se Kroacia do të fillojë presidencën e saj të BE-së në një moment shumë interesant, sepse BE do të ketë institucione të reja, për shkak të Brexit-it, që me siguri do të jetë një nga temat kryesore dhe për shkak të bisedimeve për kornizën financiare 2021-27 .

Ai përmendi gjithashtu mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, duke e cilësuar atë shumë të rëndësishme për Schengen-in dhe ruajtjen e sigurisë.

Ai rikujtoi se Komisioni Europian kohët e fundit vlerësoi se Kroacia i plotësonte kriteret për t’u bashkuar me zonën Schengen.

“Politika e zgjerimit, që është me rëndësi të veçantë për Serbinë, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për BE-në dhe rolin e saj global”, shtoi Bakota.

”Në gjysmën e parë të majit të vitit 2020, Kroacia do të organizojë një Samit të Ballkanit Perëndimor , sepse ne e vendosim zgjerimin shumë të lartë në axhendën tonë të presidencës”, deklaroi Bakota, duke shtuar se Kroacia e sheh zgjerimin si një fuqi transformuese për çdo shoqëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat