Bristoli mund të bëhet qyteti i parë britanik që ndalon veturat me naftë

Evropë

Bristoli mund të bëhet qyteti i parë britanik që ndalon veturat me naftë

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 12:23
Bristol

Duket se qyteti Bristol, i shtrirë në perëndim të Britanisë së Madhe, do të bëhet i pari që do t’i ndalojë veturat me naftë. Duke thënë se është detyrë morale, ekologjike dhe ligjore, kryetari Marvin Rees e miratoi planin për ndalimin e hyrjes së veturave me naftë në qendër të qytetit.

Sipas këtij propozimi, asnjë veturë me naftë nuk mund të futet në zonën e ajrit të pastër çdo ditë nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 3 të pasdites. Ky rregull pritet të zbatohet nga marsi i vitit 2021. Sidoqoftë, ai së pari duhet të miratohet nga Departamenti i Transportit.

“E kemi detyrë, morale, e kemi detyrë ekologjike dhe e kemi detyrë ligjore që ta pastrojmë ajrin që e thithim”, tha kryetari laburist gjatë një takimi me kabinetin e tij të martën.

Këshilli lokal e ka propozuar një gjobë prej 60 funtesh (rreth 70 euro) për ata vozitësit që nuk e respektojnë këtë rregull, por shuma e saktë e ndëshkimit nuk është caktuar ende.

Autoritetet e kanë propozuar edhe një skemë për blerjen e veturave të vjetra nga shteti në mënyrë që njerëzit të nxiten për të përdorur alternativa më pak të dëmshme të transportit.

Vitin e kaluar, qeveria qendrore e humbi një betejë ligjore për zvogëlimin e nivelit të dyoksidit të azotit pasi u urdhërua nga Gjykata Supreme që ta sjellë cilësinë e ndotjes së ajrit në nivelin e lejuar sa më shpejt që është e mundur, shkruan “Independent”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat