Ministri Lavrov: Shpresoj që marrëveshja bërthamore me Uashingtonin të ruhet

Evropë

Ministri Lavrov: Shpresoj që marrëveshja bërthamore me Uashingtonin të ruhet

Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 19:17
Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, shfaqi shpresën se marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore do të ruhet, pavarësisht tërheqjes së Uashingtonit nga marrëveshja.

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr në maj të vitit të kaluar dhe kanë rikthyer sanksionet kundër Iranit, për ta detyruar atë që të kthehet në tavolinën e bisedimeve.

Sipas Uashingtonit, kushtet e marrëveshjes së vitit 2015 nuk kanë qenë të ashpra mjaftueshëm, sa për ta penguar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Irani i mohon akuzat e SHBA-së se ai po përpiqet të zhvillojë raketa balistike, me kapacitet për të bartur koka bërthamore, dhe thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.

“Pavarësisht veprimeve të Uashingtonit që janë absolutisht të papranueshme, marrëveshja nuk e ka humbur rëndësinë e saj”, tha Lavrov në një konferencë në Moskë.

“Tani që ajo është shpërbërë ose është afër shpërbërjes, unë shpresoj se mund të ruhet”, shtoi Lavrov.

Pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga marrëveshja, Teherani është tërhequr nga disa angazhime të parapara me të.

Të enjten, ai ka thënë se ka rinisur pasurimin e uraniumit në centralin Fordov.

Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për të prodhuar lëndë djegëse për reaktorë, por edhe për armë bërthamore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat