Polonia reagon ashpër ndaj një dokumentari të Netflix-it për kampet naziste

Evropë

Polonia reagon ashpër ndaj një dokumentari të Netflix-it për kampet naziste

Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 10:32
Polonia

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, i ka shkruar kompanisë “Neflix” për të kërkuar ndryshim të një pjese të dokumentarit “Dera e ardhshme e djallit”, i cili ka të bëjë me kampet naziste.

Sipas shefit të qeverisë polake, në një hartë të shfaqur në këtë dokumentar, kampet e vdekjes janë të vendosura brenda kufijve të sotëm të Polonisë. Ai tha se kjo bën që Polonia të paraqitet si përgjegjëse për kampet e vdekjes, kur në të vërtetë ishte e pushtuar nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjermania naziste e pushtoi Poloninë në vitin 1939, kur kishte filluar Lufta e Dytë Botërore. Gjermanët më pas ndërtuan kampe të përqendrimit, përfshirë kampin famëkeq të Auschwitz-it, ku i vranë miliona njerëz, shumica e të cilëve ishin çifutë.

Në letrën e kryeministrit polak dërguar shefit të kompanisë “Netflix” thuhet se është e rëndësishme të nderohet kujtimi për viktimat dhe të ruhet e vërteta për Luftën e Dytë Botërore dhe Holokaustin.

Vitin e kaluar, Polonia miratoi ligje kundër gjuhës që ia lë përgjegjësinë shtetit polak gjatë kohës së krimeve naziste. Megjithatë, reagimet e shumta ndërkombëtare ndikuan që qeveria ta largonte dënimin me tri vjet burgim për këto shkelje.

Polonia akuzohet se ka marrë pjesë në disa krime kundër çifutëve. Në vitin 1941, fshatarët polakë në Jedwabne i kishin rrethuar mbi 300 fqinj çifutë dhe i kishin djegur për së gjalli, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat