BE-ja bën thirrje për mbylljen urgjente të kampit në Vuçjak

Evropë

BE-ja bën thirrje për mbylljen urgjente të kampit në Vuçjak

Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 13:33
Migrantët në kampin Vuçjak

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Bosnjës që të mbyllë menjëherë kampin e migrantëve në Vuçjak dhe të zhvendosë në mjedise tjera të gjithë migrantët që gjenden aty.

Një debat mbi situatën e migrantëve në Bosnje dhe Hercegovinë u zhvillua në Parlamentin Evropian.

Ministrja e Jashtme e Finlandës ,Tytti Tuppurainen, në emër të presidencës së BE-së, shprehu shqetësimin se kapacitetet ekzistuese të pritjes së migrantëve në Bosnje dhe Hercegovinë ishin “kryesisht të pamjaftueshme”.

“Fatkeqësisht, përkundër gatishmërisë së BE-së për të siguruar mbështetjen e nevojshme financiare, qeveria nuk ka siguruar lokacione të reja. Pavarësisht faktit se BE-ja vazhdon të monitorojë situatën në terren dhe përpiqet të ofrojë ndihmë, është thelbësore që autoritetet lokale dhe kombëtare të Bosnjës, të kryejnë pjesën e tyre të punës dhe të kontrollojnë situatën”, tha Tuppurainen.

Komisioneri evropian për Punë të Brendshme, Dimitris Avramopulous tha se kushtet në kampin e Vuçjakut janë të papranueshme.

Image
Kushtet e jetesës në kampin e Vuçjakut

“Ne nuk mund të pranojmë transferimin e vazhdueshëm të migrantëve dhe refugjatëve në lokacionin krejtësisht të papërshtatshëm të Vuçjakut, ku ata janë në rrezik serioz për shkak të mungesës së ujit, kanalizimeve, strehimit dhe mbrojtjes”, tha ai, duke paralajmëruar se BE-ja nuk do të ofrojë ndihmë financiare për këtë kamp.

Avramopulous tha se Komisioni Evropian iu përgjigj menjëherë nevojave urgjente të Bosnjës, duke ndarë mbi 36 milionë euro që prej vitit të kaluar. Sipas tij Brukseli vazhdimisht i ka kërkuar vendit, të sigurojë qendra pritëse kalimtare, mirëpo nuk ka asnjë vendim nga autoritetet lokale në këtë drejtim.

Gjatë debatit, eurodeputetët iu bashkuan thirrjes së institucioneve tjera të BE-së për të mbyllur sa më shpejt kampin e Vuçjakut, i cili sipas tyre, nuk posedon as kushtet minimale.

Në atë kontekst, të gjithë pjesëmarrësit në debat, thuajse njëzëri shprehën shqetësimin për rastet e pretenduara të kthimit të dhunshëm dhe keqtrajtimit të migrantëve në kufirin midis Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Komisioneri Evropian, Avramopulous, konfirmoi se institucioni që ai përfaqëson është në kontakt me autoritetet e Zagrebit, të cilëve u kërkohet të hetojnë akuzat e keqtrajtimit të migrantëve në kufijtë e Kroacisë, dhe të informojnë Komisionin Evropian.

Image
MIgrantët sigurojnë bukën në këtë mënyrë.

Ai konfirmoi gjithashtu se, me kërkesën e KE-së, u krijua një mekanizëm monitorimi për t’u siguruar që rojet kufitare kroate të veprojnë në përputhje të plotë me ligjet evropiane, detyrimet ndërkombëtare dhe respektimin e të drejtave themelore.

Dimitris Avramopulous njoftoi se për të parandaluar një krizë të re humanitare gjatë dimrit, situata në Bosnje do të jetë tema kryesore e diskutimit në një takim që do të mbahet javën e ardhshme në Shkup, ku ministrat e brendshëm të BE-së do të takohen me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.

Migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci – vend anëtar i Bashkimit Evropian – dhe të vazhdojnë më pas më në perëndim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat