Pas krizës politike, Bolivia përballet me mungesë ushqimi e karburantesh

Evropë

Pas krizës politike, Bolivia përballet me mungesë ushqimi e karburantesh

Më: 18 nëntor 2019 Në ora: 09:11
Foto ilustrim

Bolivia e goditur nga kriza politike, protestat masive dhe trazirat e përgjakshme, tashmë po përballet edhe me mungesë të ushqimit dhe të karburanteve.

Sipas agjencisë “Reuters”, në qytetin La Paz janë krijuar radhë të gjata të njerëzve që po presin për t’u furnizuar me ushqime themelore.

Kriza politike në Bolivi nisi pas kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të muajit tetor. Ish-presidenti, Evo Morales, dha dorëheqje më 10 nëntor dhe iku në Meksikë, ku ka siguruar azil politik.

Së paku 23 persona janë vrarë deri më tash gjatë protestave të dhunshme dhe përleshjeve mes forcave të sigurisë dhe protestuesve.

Presidentja e përkohshme, Jeanine Anez, e cila gjithashtu po përballet me thirrje për dorëheqje nga përkrahësit e ish-presidentit Morales, tha të dielën se së shpejti do t’i shpallë zgjedhjet e reja për ta kthyer stabilitetin në këtë vend të Amerikës Jugore.

Qeveria e përkohshme e Bolivisë është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ndërsa Bashkimi Evropian ka kërkuar që vendi të mbajë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat