Tusk zgjedhet kryetar i Partisë Popullore Evropiane, kritikon autokratët

Evropë

Tusk zgjedhet kryetar i Partisë Popullore Evropiane, kritikon autokratët

Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 09:07
Donald Tusk

Donald Tusk, presidenti i ri i partisë më të madhe në Parlamentin Evropian ka paralajmëruar kundër zgjedhjes së “popullistëve politikë, manipuluesve dhe autokratëve” në role udhëheqëse brenda aleancës.

Tusk, president në shkuarje i Këshillit Evropian i ka thënë partisë së qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane, në një Kongres të mbajtur në Zagreb se ky grup duhet të përkushtohet për të luftuar “popullizmin e papërgjegjshëm”.

Partia Popullore Evropiane është themeluar më 1976, dhe e quan veten aleancë të qendrës së djathtë, në të cilën përfshihen 84 parti dhe partnerë në 42 shtete, si dhe funksionon mbi parimin e “përkushtimit për një Evropë të fortë të bazuar në modelin federal që shtrihet në parimin e decentralizimit”.

Ky parim përfshihet edhe në ligjet evropiane, që nënkupton se çështjet politike dhe ato shoqërore duhet të trajtohen në nivelin më lokal të mundshëm.

Pasi është zgjedhur lider i ri, Tusk i ka thënë Kongresit se “në asnjë situatë ne nuk guxojmë që fushën e sigurisë dhe rregullit ta dorëzojmë te popullistët politikë, manipulatorët dhe autokratët”.

“Ne nuk do të sakrifikojmë vlerat tona si liritë civile, sundimin e ligjit dhe jetën publike sepse nuk kemi nevojë. Kushdo që nuk mund ta pranojë këtë gjë, në fakt është duke vendosur veten jashtë familjes”, ka thënë ai.

Tusk nuk ka përmendur liderët me emra, mirëpo kryeministri i Hungarisë, ka bërë thirrje si lider i të djathtës ekstreme për një lëvizje populliste kundër migrimit në gjithë kontinentin, sidomos në Evropën Qendrore dhe atë Lindore.

Partia Popullore Evropiane ka pezulluar anëtarësinë e Partisë Fidesz të Orbanit nga aleanca pasi Orbani ka udhëhequr një fushatë të ashpër kundër Presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Ende nuk është bërë e qartë nëse kjo aleancë do ta dëbojë partinë Fidesz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat