Zgjedhjet në Britani do të ndryshojnë edhe politikën e emigracionit

Evropë

Zgjedhjet në Britani do të ndryshojnë edhe politikën e emigracionit

Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 07:00
Ilustrim

Deri te zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në Britani të Madhe kanë mbetur edhe dy javë ndërsa është e qartë se do të ketë ndryshime të rëndësishme në politikën e emigracionit të vendit, pavarësisht se cila parti i fiton zgjedhjet.

Partia Konservative në pushtet paralajmëron heqjen e rregulloreve të caktuara të Bashkimit Evropian (BE) për lirinë e lëvizjes. Kryeministri britanik, Boris Johnson, më herët premtoi kthimin e kontrollit për sa i përket emigracionit, si dhe formimin e një sistemi sipas shembullit të Australisë.

Sipas kësaj, për sa i përket emigracionit, përqendrimi do të jetë në heqjen e problemeve për mungesën e fuqisë punëtore. Ata që duan të punojnë në punët ku janë hapur pozitat, do të kalojnë përmes një procesi të veçantë të vlerësimit, përcjell AA.

Pikët do të ndahen në bazë të moshës, njohjes së gjuhës angleze dhe përvojës së punës. Ky program do t’u mundësojë emigrantëve të kualifikuar të vijnë në këtë vend edhe pa u pas ofruar punë. Gjithashtu, autoritetet do të vendosin se kush do të pranohet.

Konservatorët konsiderojnë se në këtë mënyrë në vend mund të vijnë vetëm emigrantët e kualifikuar të cilët do të punojnë në fusha ku është evidente mungesa e fuqisë punëtore. Ata konsiderojnë se kështu do të ulet edhe numri i përgjithshëm i emigrantëve.

Përveç kësaj, partia premton një formë të re për vizat për mjekët, infermieret dhe shkencëtarët, të cilët e njohin mirë gjuhën angleze dhe kanë ofertë nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar.

Qytetarët e BE-së që jetojnë në Britani pas Brexit-it do t’u nënshtrohen kushteve të njëjta sikurse edhe qytetarët e vendeve tjera.

Përveç kësaj, qytetarët e BE-së që shpërngulen në Britani pas Brexit-it, duhet të punojnë 5 vite për të arritur të drejtat për ndihmën sociale për të papunët, zgjidhjen e çështjes së banimit dhe shtesave fëmijërore.

Emigrantët e rinj duhet të paguajnë shërbimet shëndetësore para se të arrijnë të drejtën për shfrytëzim të sigurimit shëndetësor si dhe është planifkuar edhe vendosja e sistemit të kuotës për punëtorët sezonal në punët e buqësisë.

Partia Laburiste

Partia Laburiste opozitare premton se do të formojë një “sistem humanitar të emigrimit” dhe se do të heqë “mjedisin armiqësor”.

Siç kanë paralajmëruar, Partia Laburiste do të ngrisë një sistem i cili bazohet në respektimin e të drejtave të njeriut, por edhe mënyrën e shmangies së mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar si në ekonomi ashtu edhe në shërbimet publike.

Lëvizja e lirë pas Brexit-it do të mbrohet, madje do të ketë lehtësira shtesë. Të gjithë qytetarët e BE-së në Britani do të kënë edhe më tej mundësinë të jetojnë dhe të punojnë në këtë vend.

Partia kundërshton politikat e emigracionit të bazuara në sistemin e vlerësimit ndërsa synon të rikonstruktojë tregun për të ndaluar eksploatimin e të gjithë punëtorëve, përfshirë edhe emigrantët. Gjirthashtu, synon të parandalojë dëbimin e anëtarëve të familjeve të atyre që kanë të drejtë qëndrimi në vend. Partia Laburiste do të mbyllë dy qendrat e dëbimit të të huajve në vend.

Partia Demokratike-Liberale

Partia e cila kundërshton Brexit-in, premton se do të mbrojë lëvizjen e lirë brenda BE-së. Në deklaratën e saj paralajmëron se do të vendosin vizat e punës të bazuara në merita. Pas përfundimit të shkollimit, të rinjve do t’u jepet e drejta që të punojnë dy vite dhe më pas institucionet arsimore dhe kompanitë do të vendosin për lejet e tyre të punës dhe vizat studentore. Arrestimi i emigrantëve do të jetë zgjidhja e fundit ndërsa në rastet kur është e domosdoshme, paraburgimi do të kufizohet në 28 ditë. Për më tepër, do të mbyllen shtatë nga nëntë qendrat e paraburgimit.

Partia Brexit

Partia Brexit në krye me Nigel Farage, premton kufizimin e numrit të emigrantëve në 50 mijë në vit. Partia mbështet largimin nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje dhe paralajmëron se pas Brexit-it do të vijë deri tek heqja e lirisë së lëvizjes sipas rregullave të tanishme.

Partia paralajmëron se mungesën e fuqisë punëtore do ta plotësojë me sistemin e emigacionit i cili bazohet në vlerësim pavarësisht origjinës etnike. Ndërkaq, partia mbështet “programin human për azilantët e vërtetë”.

Sondazhet tregojnë avantazhin e konservatorëve

Sondazhet e agjencisë për kërkime Kantar, të kryera nga 21 deri më 25 nëntor tregojnë se Partia Konservatore do të fitojë 43 për qind të votave, Partia Laburiste 32 për qind, Partia Liberal-Demokratike 14 për qind dhe Partia Brexit 3 për qind të votave.

Në referendumin e vitit 2016, qytetarët britanikë me 52 për qind të votave votuan për ndarje nga BE-ja, i ashtuquajturi Brexit. Brexit-i i cili pritej të ndodhte më 29 mars, fillimisht ishte shtyrë për 31 tetor që më vonë të shtyhet sërish për 31 janar 2020.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 12 dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat