Mijatoviq: Mbyllni kampin në Vuçjak ose migrantët do të fillojnë të vdesin

Evropë

Mijatoviq: Mbyllni kampin në Vuçjak ose migrantët do të fillojnë të vdesin

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 16:48
Kampi i migrantëve në Vuçnjak

Migrantët e vendosur në një kamp në Bosnje dhe Hercegovinë kanë filluar një grevë urie, pasi një zyrtare e lartë evropiane për të drejtat e njeriut paralajmëroi se objekti i përkohshëm duhet të mbyllet menjëherë, ose "njerëzit do të fillojnë të vdesin".

Më 3 dhjetor, gjatë një vizite në kampin e Vuçjakut afër Bihaqit, Dunja Mijatoviq, përfaqësuese e lartë për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, kritikoi kushtet në kamp, të cilat pritet të përkeqësohen gjatë muajve të ardhshëm të dimrit.

"Ky është një turp për Bosnje dhe Hercegovinën. Si një boshnjake, unë kam turp për shkak të situatës në Vuçjak", tha Mijatoviq.

Në kampin e Vuçjakut, i ndërtuar në lokacionin e një ish deponie, aktualisht gjenden rreth 600 migrantë. Aty nuk ka energji elektrike ose ujë të rrjedhshëm.

Bashkimi Evropian i ka dhuruar Bosnjës më shumë se 36 milionë euro ndihmë.

Shumica e migrantëve janë vendosur në pjesën veriperëndimore të Bosnjës, e cila kufizohet me vendin anëtarë të BE-së, Kroacinë, duke bërë që autoritetet lokale të kërkojnë nga pjesët tjera të vendit, të ndajnë barrën e migrantëve.

Mijatoviq tha se bisedimet për këtë çështje do të zhvillohen me zyrtarët rajonal, si dhe me qeverinë në Sarajevë, në fund të javës.

Rreth 50.000 migrantë kanë shkuar në Bosnje që nga viti i kaluar, duke paraqitur presion shtesë mbi vendin e varfër të Ballkanit.

Qeveria në Sarajevë, e përfshirë vazhdimisht nga grindjet etnike, nuk ka arritur të adresojë çështjen e migrantëve.

Në mes të muajit nëntor, grupi "Mjekët pa Kufij" thanë se kampi i improvizuar i refugjatëve nuk i plotëson standardet themelore të jetesës dhe është një "vend i rrezikshëm e çnjerëzor".

Migrantët janë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe synojnë që përmes Bosnjës, të kalojnë në Kroaci, dhe më pas në vendet perëndimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat