Kërkohet përgjigje dinamike rajonale për sfidat moderne të sigurisë

Evropë

Kërkohet përgjigje dinamike rajonale për sfidat moderne të sigurisë

Më: 6 dhjetor 2019 Në ora: 09:10
Amer Kapetanoviç

Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal(RÇ) zhvilloi në Trieste konferencën “Përgjigje rajonale ndaj sfidave të sigurisë në Evropën Juglindore”.

Drejtori i Departamentit Politik të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, Amer Kapetanoviç, në fjalën hapëse të konferencës tha se pavarësisht se 83% e evropianëve janë dakord që lajmet e rreme përbëjnë kërcënim për demokracinë, këto lajme janë bërë diçka krejt e zakonshme.

Sipas tij, lajmet e rreme po japin kontributin e tyre në masë të gjerë për gjuhën e urrejtjes, që për të s’bën gjë tjetër veçse i hedh benzinë zjarrit të nacionalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, veçanërisht në median sociale.

“Kjo është edhe një mënyrë për të radikalizuar të rinjtë, një fenomen botëror ky, ndaj të cilit, edhe rajoni ynë mbetet veçanërisht vulnerabël. Më shumë se 22% e të rinjve të moshës 17-24 vjeç, nuk shkojnë në shkolla, nuk janë në sistemin arsimor, nuk marrin pjesë në arsimin profesional, ndërkohë që në internet i gjen në një shkallë mjaft të lartë, në shifrën 90%. Në përgjithësi, papunësia qëndron në masën 39%, me një tendencë në rritje të pakënaqësisë ndaj demokracisë, sistemit politik, partive politike apo qeverive”, tha Kapetanoviç.

Kreu i Departamentit Politit të RÇ shtoi se migracioni i paligjshëm është kthyer në një sfidë botërore të kohës sonë dhe se e gjithë Evropa e ka gjetur veten në vështirësi në lidhje me këtë sfidë.

“Ne përballemi me kaq shumë probleme në ditët e sotme, sa na duhet një qasje rajonale për t’i luftuar këto sfida sigurie, sepse, në fund të fundit, përmirësimi i gjendjes ekonomike, një ovjektiv i qartë ky për të gjitha shoqëritë e rajonit tone, ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me sigurinë dhe sundimin e ligjit. Prandaj, ne e mbështetëm fort komponentin e sigurisë në procesin e Berlinit dhe vendosëm që të fuqizojmë e të zgjerojmë partneritetet tona, për të ndihmuar qeveritë në rajon dhe në hapësirën e Bashkimit Evropian (BE) që të bëjnë një vlerësim më të mirë të nevojave dhe të përpilojnë përgjigjet ndaj sfidave bashkëkohore të sigurisë”, përfundoi Kapetanoviç.

Valerio Valenti, prefekt i Triestes dhe Robert Popovski, ministër i Komunikimit, Përgjegjshmërisë dhe Transparencës së Maqedonisë së Veriut, po ashtu mirëpritën idenë e një bashkërendimi më të mirë rajonal, si edhe të komunikimit dhe përgjigjes rajonale ndaj kërcënimeve të sigurisë, të cilat ndahen pothuajse nga të gjitha ekonomitë e rajonit.

Për herë të parë, kjo konferencë rajonale sigurie mblodhi studentë e profesorë nga universitetet e Triestes dhe Lubjanës, duke përcaktuar kështu tendencën e re të përfshirjes së komunitetit akademik me anën e një qasjeje holistike për çështjet e sigurisë.

Konferenca u organizua nga RÇ-ja në bashkëpunim me Ministrinë italiane të Punëve të Brendshme, dhe në partneritet me Prefekturën e Triestes, Iniciativën Rajonale për Migracionin, Azilin dhe Refugjatët (Qendra MARRI), Qeverisjen e Integruar të Sigurisë së Brendshme (IISG), me Qendrën Evropiano-Juglindore të Kontrollit të Armëve të Vogla dhe të Lehta (SEESAC), dhe me mbështetjen tematike të Rrjetit Rajonal Evropiano-Juglindor të Kontrollit ndaj Keqinformimit dhe Manipulimit të Medias.

Konferenca mblodhi përfaqësues të agjencive dhe të institucioneve të sigurisë të 13 ekonomive të Evropës Juglindore dhe të organizatave rajonale të sigurisë që veprojnë në rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat