Greqi: 6 migrantë vdesin nga i ftohti afër kufirit me Turqinë

Evropë

Greqi: 6 migrantë vdesin nga i ftohti afër kufirit me Turqinë

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 18:10
Greqi

Gjithsej gjashtë migrantë kanë vdekur nga i ftohti ditët e fundit në Greqinë verilindore, afër kufirit tokësor me Turqinë.

Mjeku ligjor Pavlos Pavlidis, me qendër në qytetin e Alexandroupoli në Greqinë veriperëndimore, tha se viktimat ishin katër burra dhe dy gra, të gjitha nën moshën 30-vjeç.

Identiteti dhe kombësia e tyre janë të panjohura, megjithëse duket sikur të dy gratë janë nga Afrika, tha Pavlidis për agjencinë e lajmeve AP.

“Trupat e pesë migrantëve u gjetën gjatë fundjavës dhe i gjashti u zbulua më 5 dhjetor”, tha Pavlidis.

Trupat e dy grave u gjetën pranë lumit Marica, i cili shkon përgjatë pjesës më të madhe të kufirit tokësor midis Greqisë dhe Turqisë. Burrat u gjetën në një terren kodrinor, transmeton KosovaPress.

Të gjithë besohet se kanë hyrë në vend në mënyrë të paligjshme nga Turqia. Edhe pse shumica e migrantëve nga Turqia për në Greqi përdorin rrugën e detit, në anije të vogla jo të besueshme, shumë prej tyre zgjedhin rrugën tokësore përmes lumit Marica sidomos gjatë natës kur temperaturat në dimër bien nën zero.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat