Pas fitores, Johnson siguron mbështetësit për Brexit’in

Evropë

Pas fitores, Johnson siguron mbështetësit për Brexit’in

Më: 14 dhjetor 2019 Në ora: 23:13
Boris Johnson

Kryeministri britanik Boris Johnson vizitoi pjesën veriore të Anglisë të shtunën për takime me ligjvënësit e sapozgjedhur të Partisë Konvervatore, zonë që njihet edhe si zemra e klasës punëtore që i ktheu shpinën Partisë Laburiste duke kontribuar në fitoren e zotit Johnson.

Pas fitores historike, zoti Johnson është i vendosur që të fillojë javën që vjen procesin për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian deri në afatin e caktuar me 31 janar. Kryeministri Johnson shprehu mirënjohje për besimin që pjesa veriore e vendit i dha atij përmes votës.

“Dua që populli i pjesës Verilindore ta dijë që konservatorët e vlerësojnë besimin që na keni dhënë. Si kryeministër do të bëj gjithçka që të reflektojë besimin tuaj. …. A do të realizojmë Brexit-in? A e mbështesni këtë marrëveshje? “

Pasi të kapërcejë pengesën tre vjeçare në parlament, Kryeministri Johnson duhet të sigurojë një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian deri nga fundi i vitit 2020.

Suksesi i zotit Johnson vjen pjesërisht si rezultat i ndryshimit të prirjeve të shtresës që zakonisht ka mbështetur Partinë Laburiste në pjesën veriore të Anglisë, duke votuar për Partinë Konservatore si rezultat i premtimeve për të arritur daljen nga Bashkimi Evropian.

“Ne jemi shërbyesit e popullit. Detyra jonë është t’u shërbejmë njerëzve të këtij vendi dhe të realizojmë përparësitë tona që përputhen me përparësitë që ka populli. Kjo është dalja nga Bashkimi Evropian. Do të realizojmë synimet tona për kujdesin shëndetësor, arsimin, sigurinë dhe një të ardhme më të mirë për vendin tonë.”

Gjatë referendumit të vitit 2016, shumë prej këtyre komuniteteve votuan për daljen nga Bashkimi Evropian si rezultat i shqetësimeve se ishin lënë pas dore nga qeveria qendrore dhe ndikimit të emigrantëve në vendet e punës. /VoA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat