Pavarësisht kundërshtimeve, shënohet Dita e Republikës Serbe

Evropë

Pavarësisht kundërshtimeve, shënohet Dita e Republikës Serbe

Më: 9 janar 2020 Në ora: 15:49
Foto

Serbët e Bosnjës kanë festuar Ditën e Republikës Serbe, një festë e diskutueshme e cila është kundërshtuar ashpër nga grupet tjera etnike në Bosnje dhe Hercegovinë.

Myslimanët dhe kroatët e shohin këtë festë si diskriminuese.

Festimet shënojnë 9 janarin e vitit 1992 kur serbët shpallën shtetin e tyre në Bosnje, duke shkaktuar një luftë shkatërrimtare katër vjeçare, që vrau mbi 100,000 njerëz dhe la miliona të pastrehë.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës, në vitin 2015 e shpalli shënimin e kësaj dite si antikushtetuese, festimet megjithatë janë zhvilluar çdo vit.

Në Banja Llukë, kryeqytetin e entitetit serb të Bosnje dhe Hercegovinës, u zhvillua një paradë ceremoniale ku morën pjesë më shumë se 2.400 pjesëtarë të policisë.

Gjatë festimeve, u intonuan himnet e Serbisë dhe të Republikës Serbe, por jo edhe ai i Bosnje dhe Hercegovinës.

Në festime morën pjesë presidenti i Republikës Serbe, Zheljko Cvijanoviq dhe Millorad Dodik, anëtarë i presidencës trepalëshe të Bosnjës, i cili tha para të pranishmëve se “serbët kanë dy shtete – Republikën Serbe dhe Serbinë”.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

“Serbia respekton Bosnje-Hercegovinën, Serbia garanton marrëveshjen e Dejtonit [që përfundoi luftën 1992-1995], por Serbia mbi të gjitha e do Republikën Serbe”, tha Vulin, transmeton rel.

Përmes një deklarate të lëshuar në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se “Serbia gjithmonë do ta dojë dhe mbështesë Republikën Serbe, duke respektuar integritetin e Bosnje dhe Hercegovinës”.

Myslimanët dhe kroatët e Bosnjës kanë këmbëngulur që festimet nuk përfaqësojnë të gjitha grupet etnike që jetojnë në Republikën Serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat