Franca thotë se Irani mund të ketë armë bërthamore brenda një ose dy vitesh

Evropë

Franca thotë se Irani mund të ketë armë bërthamore brenda një ose dy vitesh

Më: 10 janar 2020 Në ora: 15:51
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, ka paralajmëruar se Irani mund të ketë armë bërthamore brenda një ose dy vitesh, nëse Teherani vazhdon të shkelë marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore.

Kryediplomati francez e bëri deklaratën përpara një takimi urgjent të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, i cili mbahet për shkak të tensioneve në rritje midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Javën e kaluar Shtetet e Bashkuara e kanë vrarë komandantin e lartë iranian, Qasem Soleimani, përmes një sulmi ajror në Bagdad.

Forcat Kuds të cilat udhëhiqeshin nga Soleimani, konsiderohen terroriste nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Më pas, Irani sulmoi me raketa balistike bazat ushtarake në Irak ku ishin të strehuara forcat amerikane.

Teherani njoftoi se do të ndalojë së zbatuari kufizimet që parashihen me marrëveshjen bërthamore.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi në vitin 2018 se Shtetet e Bashkuara po tërhiqeshin prej marrëveshjes dhe do të rivendosin sanksione të ashpra ndaj Iranit.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se marrëveshja ishte e pamjaftueshme dhe duhet të ri-negociohej sepse nuk adreson programin e raketave balistike të Iranit ose përfshirjen e tij në konfliktet rajonale.

Në të njëjtën kohë, ri-vendosja e sanksioneve amerikane ka shkaktuar një dëm të madh në ekonominë e Iranit.

BE-ja ka thënë se nuk do të "kursejë asnjë përpjekje" për të mbajtur të gjallë marrëveshjen bërthamore, pavarësisht tensioneve të përshkallëzuara midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Palë në marrëveshje, krahas Iranit, janë Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Rusia, Kina si dhe Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat