Ukraina heton nëse është përgjuar ish ambasadorja amerikane

Evropë

Ukraina heton nëse është përgjuar ish ambasadorja amerikane

Më: 17 janar 2020 Në ora: 18:45
Marie Yovanovitch

Autoritetet ukrainase thonë se kanë hapur një hetim për të zbuluar nëse Marie Yovanovitch, ish ambasadorja amerikane në Kiev, ishte përgjuar në mënyrë të paligjshme para se presidenti amerikan, Donald Trump, ta largonte atë papritur nga posti vitin e kaluar. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Departamenti i Shtetit nuk u janë përgjigjur kërkesave të përsëritura për komente mbi përgjimin e pretenduar dhe kërcënimet e mundshme fizike për diplomaten e karrierës që ka shërbyer për 33 vjet në poste diplomatike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine raporton nga Departamenti i Shtetit.

Lev Parnas, një biznesmen amerikan me origjinë ruse dhe bashkëpunëtor i ngushtë i avokatit personal të Presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani, ka paraqitur disa dokumente të rëndësishme në procesin e akuzave ndaj Presidentit Trump dhe gjykimin e tij në Senat. Dokumentet befasuese përfshijnë letra dhe mesazhe me tekst që tregojnë Giulianin duke komunikuar në lidhje me ish-ambasadoren amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch, duke përfshirë edhe gjurmimin e lëvizjeve të saj në Kiev.

I pyetur në lidhje me pretendimet e Parnasit se Presidenti Trump u përpoq të bindte Ukrainën për të shpallur një hetim ndaj rivalit të tij demokrat, ish nënpresidentit Joe Biden, zoti Trump ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk e njeh Parnasin.

"Nuk kam nevojë për ndihmën e një njeriu që nuk e kam takuar kurrë më parë, përveç se të kem bërë ndonjjë fotografi në një fushatë fondesh".

Ministria e brendshme ukrainase thotë se do të hetojë pretendimet e Parnasit; do të hetojë gjithashtu nëse janë shkelur të drejtat diplomatike të ambasadores dhe ligji ukrainas.

"Sipas mekanizmave ligjorë ndërkombëtarë, Ministri i Punëve të Brendshme, Arsen Avakov, sugjeroi që pala amerikane mund të marrë pjesë në hetim. Ukraina pret që Shtetet e Bashkuara të përgjigjen menjëherë dhe mezi pret bashkëpunimin", thotë Denys Lenets, zyrtar i lartë në Ministrinë e Brendshme të Ukrainës.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili ka qenë në Kaliforni këtë javë, po vihet nën kritika në rritje nga ish-diplomatët amerikanë, ligjvënës dhe ekspertë të politikës së jashtme pasi nuk ka komentuar për njoftimet mbi përgjimin e ambasadores Yovanovitch. Ai kritikohet gjithashtu se nuk i ka dalë në krah asaj.

"Ka një psherëtimë të madhe dhe shumë zhgënjim që nuk ka patur asnjë fjalë nga Sekretari Pompeo. Departamenti i Shtetit nuk ka thënë asgjë për ta mbrojtur atë. Pohimet e reja thonë se ajo ishte duke u vëzhguar. Është thellësisht shqetësuese që vetë ukrainasit kanë filluar një hetim për këtë", thotë Melinda Haring me Këshillin e Atlantikut.

Pezullimi i përkohshëm i ndihmës ushtarake për Ukrainën nga Presidenti Trump çoi në ngritjen e akuzave kundër tij nga Dhoma e Përfaqësuesve muajin e kaluar dhe procesi ka kaluar tani në Senat. Të dyja dhomat e Kongresit amerikan kishin miratuar fonde për Ukrainën, të përfshirë në një luftë me Rusinë në territorin e saj. Të enjten, një agjenci mbikëqyrëse e qeverisë federale,tha se vonimi i kësaj ndihme ishte shkelje e ligjit amerikan./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat