Stuhia "Gloria" në Spanjë, disa viktima

Evropë

Stuhia "Gloria" në Spanjë, disa viktima

Më: 22 janar 2020 Në ora: 14:20
Foto ilustrim

Prej fillimjavës, Spanja po përshkohet nga një stuhi e fortë me përmbytje, shira dhe borë që kanë vrarë të paktën 5 persona dhe disa mbeten të zhdukur. 

Moti i stuhishëm u ka marrë jetën të paktën pesë personave në qytetet bregdetare të Spanjës.

Stuhia me emrin "Gloria" solli në provincat e ndryshme të vendit erëra të forta, dallgë deri 7 metra të larta dhe rrezikun e orteqeve të dëborës.

Një dukuri e pazakontë u shfaq në resortet e Katalonjës, ku rrugicat dhe muret e godinave u përfshinë nga shkuma e detit.

Në rrethinat e Valencias, Ishujve Balerikë dhe kryesisht në Barcelonë, uji i kripur i detit përmbyti afro 30 kilometra katrorë ara të mbjella me oriz dhe banesa të tëra në provincat verilindore.

Autoritetet kanë udhëzuar qytetarët të shmangin shtëtitoret buzë detit.

"Situata aktualisht duket e qetë, çfarë mund të ndodhë nuk e dimë. Njerëzit janë vënë në alarm dhe kanë marrë masat," deklaron një banore e  të Haronas, qytet ku mijëra familje kanë mbetur pa energji si pasojë e përmbytjeve.

Me kalimin e orëve, stuhia po lëviz drejt vargmaleve Pirenej.

Si Spanja, edhe jugu i Francës kanë mobilizuar forca shtesë të policisë dhe zjarrfikëse, të cilat qëndrojnë në gatishmëri të lartë prej përmbytjeve të tetorit e kaluar.

Stuhia dimërore "Gloria" është quajtur një nga më të ashprat e rajonit në katër dekadat e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat